Avokat dhe bloger anti-korrupsion, nacionalist dhe populist. Si ka ndryshuar në 20 vjet kundërshtari më i madh i presidentit rus?

Kur në Rusi është kohë trazirash, sugjerimi i dyfishtë i “Carit të Mirë” dhe “Dmitrit të Rremë”, gjithmonë kthehet në plan të parë.

Në historinë e trazuar ruse, figura e parë i referohet Boris Godunovit, sundimtari i ndriçuar, që drejtoi Rusinë pas vdekjes së “Ivanit të Tmerrshëm” në vitin 1584, fillimisht në hijen e Fjodor të I dhe pastaj të Carit.

I dyti, iu referohet tre mashtruesve, të cilët midis viteve 1600 dhe 1613, e cilësonin veten njëri pas tjetrit si djem të Ivanit, duke sfiduar Borisin dhe duke e shpallur veten sovranë, para se të vriteshin pas mbretërimeve të shkurtra dhe të liga.

Se cili nga dy figurat do të dalë të jetë Aleksei Navalni, do të na e tregojnë muajt dhe vitet e ardhshme. Në rrëfimin e Putinit sipas Kremlinit, disidenti më i famshëm në botë, është një “Dmitri i ri Fals”, i cili erdhi për të mashtruar popullin rus dhe i vendosur për të uzurpuar fronin e “Carit” (në këtë rast Putini).

Por, me qëndrueshmërinë dhe guximin e tij, ai nuk e fsheh dëshirën për të veshur këpucët e Boris Godunovit, si profet i një epoke të re.

Djali i një oficeri të Ushtrisë së Kuqe

Por kush është me të vërtetë Aleksei Navalni, ky avokat mbi dyzet vjeç, sytë e kaltër të të cilit shkëlqejnë mbi atë që Enzo Bettiza, e quajti  “ndezja e çmendurisë tipike për të gjithë rusët e bardhë”?

Çfarë roli po përgatitet për të, tani që një dënim pa arsye reale, me 2 vjet e 8 muaj burg, tregon nervin e zhveshur të Vladimir Putinit, i vendosur për të paguar ndonjë çmim politik për ta margjinalizuar?

Djali i një oficeri të Ushtrisë së Kuqe, i rritur në qytete ushtarake të mbyllura për të huajt rreth Moskës, i diplomuar nga Rudn, universiteti prestigjioz i Moskës, dikur me emrin e Patrice Lumumbas dhe më pas i riemëruar si Universiteti i Miqësisë midis Popujve, Navalni kalon vitet e trazuara ‘90 menjëherë duke treguar një pasion për politikën.

Në vitin 1999, ai u bashkua me Yablokon, partia e vogël liberale e Grigory Yavlinskit, nga e cila u përjashtua në vitin 2007.

Arsyeja kryesore e daljes së tij: lëvizja progresive e aktivistit të ri, gjithnjë e më shumë i tërhequr nga nacionalizmi i madh rus, i cili kulmon në vendimin e tij, për të marrë pjesë në vitin 2006 në “Russkij Marsh”, (Marshi Rus), një paradë tradicionale e ekstremit të djathtë ksenofob, ku përshëndetjet naziste janë me bollëk.

Lëvizja e re nacionaliste

Disa muaj pas rrëzimit të Yablokos, Navalni themeloi lëvizjen patriotike “Narod”, e cila menjëherë u bë aleate me dy formacione të tjera të ekstremizmit nacionalist, Lëvizja Kundër Migracionit të Paligjshëm dhe Rusia e Madhe.

Natyrisht, nacionalizmi i Navalnit, duhet të kontekstualizohet. Ne jemi në fillim të epokës së Putinit, ku presidenti i ri është i përkushtuar për të rivendosur krenarinë dhe statusin ndërkombëtar në Rusi, pas Perëndimit të Largët dhe pas shembjes së BRSS-së dhe poshtërimeve të pësuara në vitet 1990.

“Uvazheniye”, ose respekti,  është ai që Putin pret nga bashkësia ndërkombëtare. Por Vladimir Vladimirovich, i cili e konsideron fundin e Bashkimit Sovjetik, “katastrofën më të madhe gjeopolitike të shekullit XX”, dëshiron të rimarrë trashëgiminë e përgjithshme, duke përfshirë karakterin e tij multi-etnik dhe ambicien perandorake.

Nacionalistët, nga ana tjetër, nga Eduard Limonov e poshtë, po bëjnë thirrje për rivendosjen e epërsisë ruse. Navalni është mes tyre. Ai mbështet ndërhyrjen ushtarake të vitit 2008 në Gjeorgji. Ai publikon video në të cilat krahason muslimanët e Kaukazit, me buburrecat që duhen eliminuar. Teorizon dëbimin e të gjithë gjeorgjianëve nga Moska dhe Federata Ruse. I është bashkuar fushatës “Stop Feeding Kaukaz”.

Korrupsioni i “Carit” dhe denoncimet e disidentit

Sot, Navalni pranon se ai nuk do t’i përdorë më ato terma dhe shprehje. Por askush nuk e ka dëgjuar kurrë të thotë që ai të distancohet nga nacionalizmi i tij.

Megjithatë, në fillim të 10 viteve të para të mijëvjeçarit të ri, diçka ka ndodhur. Populizmi karizmatik i Navalnit, merr rrugën e luftës ndaj korrupsionit, përsëri i shfrenuar pas lëvizjeve fillestare demonstrative të Putinit kundër oligarkëve.

Në fakt, në vend të të vjetërve si Berezovsky, Khodorkovsky dhe Gusinsky, “Cari” (Putini), krijoi vetëm grabitqarët e rinj, të tillë si Abramovich, Usmanov, Rotenberg.

Duke treguar se e kupton potencialin e madh të rrjetit, Navalni merr rolin e një blogeri, duke denoncuar (me emra, mbiemra dhe prova) ryshfete  dhe vjedhje të parave publike. Gazeta e tij, “Live”, bëhet jashtëzakonisht e popullarizuar.

Në vitin 2010 ai hap “RosPil”, sitin që e shenjtëron atë në rolin e tij, si një denoncues të sistemit korruptiv, ku edhe sot, një grup juristësh të rinj, shoshisin nëpër male të dokumenteve të kontratave publike, parregullsi demaskuese, shkelje të qëllimshme dhe marifete të paligjshme.

Nisja e protestave dhe arrestimet

Në vitin 2013 ai është ndër drejtuesit e protestës në rrugë, që për herë të parë e bën Putinin të lëkundet. Fillon kalvari i gjatë i arrestimeve, hyn dhe del në “Matrosskaya Tishina”, burgun e Moskës. Regjimi e identifikon atë si një nga objektivat përparësorë kundër të cilit duhet të veprojë.

Sidoqoftë, kufijtë e paqartësisë mbeten. Në Krime, në vitin 2014, Putini luan kartën patriotike të “Reconquista”-s.

Gadishulli rus me shumicë etnike, i dhuruar nga Hrushovi në Ukrainë, është ri-aneksuar në Federatë. Vlerësimet e popullaritetit të tij rriten lart. Nacionalistët, Limonov dhe shkencëtari politik, Alexandr Dugin në krye, morën anën e “Carit”.

Është koha për “Nashin”, organizatën qeveritare të të rinjve në mbështetje të kursit të ri presidencial, i cili në fjalorin e Putinit, përmblidhet në fjalën, “Novorossya”.

Refleksi nacionalist duket se prek përsëri Navalnin, i cili megjithatë nuk e toleron regjimin në luftën kundër korrupsionit.

Dhe kur Alekseij Venediktov, drejtori i “Radio Echo” në Moskë, e pyet atë, nëse ai do ta kthente Krimenë sërish në Ukrainë, Navalni përgjigjet nga ‘arresti shtëpiak’: “Krimea nuk është një sanduiç me proshutë, e cila, në fillim merret dhe kthehet në një mënyrë të tillë”.

Frika e Putinit

Megjithatë, Putini gabon sërish, duke përdorur procedura ligjore për të parandaluar Navalnin të kandidojë për zgjedhjet presidenciale në vitin 2018.

“Cari” fiton lehtësisht, me mbi 76% të votave. Por në të vërtetë, ai garon i vetëm në zgjedhje. Dhe që nga ai moment, blogeri mund të hyjë plotësisht në rolin e kundërshtarit të parë të tij.

Fundi i mrekullisë ekonomike “Putiniane”, që nuk mbështetet më nga çmimet e naftës dhe gazit, e ndihmon atë: klasa e mesme, e lindur në dekadën e parë të shekullit të ri, e gjen veten të varfër, kushtet e jetesës përkeqësohen për të gjithë, pakënaqësia rritet, gjithashtu nxitet nga zemërimi për mënyrën e lehtë të vënies së pasurisë.

Kanali “YouTube” i promovuar nga Navalni, nuk i jep afat sistemit, duke denoncuar gjithmonë skandale të reja dhe duke synuar gjithnjë e më lart, si zbulimet mbi biznesin dhe pronën e kryeministrit të atëhershëm, Dmitry Medvedev.

Në vitin 2019, falë një sistemi “votimi të zgjuar”, Navalni arrin të zgjedhë kandidatë alternativë ndaj atyre të Rusisë së Bashkuar, partisë së presidentit, në Dumën e Moskës.

Dyshimet për helmim, arrestimi dhe burgosja

Ajo që ka ndodhur nga vera e kaluar, deri më sot, është një histori e njohur tashmë: helmimi i Navalnit në Siberi, ulja emergjente e avionit në Omsk që i shpëton jetën, shtrimi në spital në Gjermani, zbulimet mbi rolin e shërbimeve ruse në përpjekjen për ta eliminuar me agjentin ushtarak “Novichok”, kthimi në Rusi, arrestimi dhe qëllimi i videos në lidhje me pallatin luksoz me pamje nga Deti i Zi, i cili ai beson se i përket Putinit, i parë nga 100 milionë njerëz. Në fund, dënimi me burg.

Putini ka vendosur “të djegë urat”. Udhëheqësi i Kremlinit, duke u ndeshur me suksesin e tij, është i bindur se margjinalizimi afatgjat i Navalnit, vlen për çdo çmim politik, në kushtet e sanksioneve të reja perëndimore dhe izolimit ndërkombëtar.

Kjo demonstrohet nga kriza gati përbuzëse me Bashkimin Evropian para pak ditësh, kur Kremlini dëboi tre diplomatë nga Gjermania, Polonia dhe Suedia gjatë vizitës së Përfaqësuesit të Lartë të BE në Moskë, Joseph Borrell, i cili erdhi për të kërkuar lirimin e disidentit.

Ndoshta është një llogaritje e drejtë. Ndoshta disa vjet burg, do të jenë të mjaftueshme për ta bërë atë të harrojë. Ndoshta.

Por duke vepruar kështu, “Cari”, i ka dhënë Navalnit dinjitetin e kreut të një opozite, e cila sigurisht që ende nuk ka një masë kritike, por për herë të parë është përhapur në të gjithë territorin rus.

Mbi të gjitha, ai është i ri dhe mund të thotë: koha është në anën time. Loja mbetet e hapur: Putini dëshiron ta shndërrojë Navalnin në një “Dmitri të Rremë”, por ndjekësit e tij shohin Boris Gudonovin e ri tek ai.

Por do të jenë rusët, akoma në shumicë të afeksionuar nga “Cari”, për të vendosur se cilin shohin te Aleksei Navalni, mes Dmitrit dhe Borisit.