Është një ‘luftë’ mediatike ajo midis Pekinit dhe Londrës. Kinezët kanë pezulluar transmetimin e programeve të BBC-së për Kinën, në kundërpërgjigje të bllokimit të mëhershëm të kanalit të tyre zyrtar në Britaninë e Madhe.

Kina është kundërpërgjigjur ndaj Britanisë, duke pezulluar transmetimin për televizionin publik britanik BBC për vendin aziatik.

“BBC World News” nuk do të lejohet të transmetojë më në Kinë, ka njoftuar të enjten autoriteti i transmetimeve të Kinës.

Duke cituar “shkelje serioze të përmbajtjes”, kinezët pretendojnë se rrjeti britanik BBC, kishte shkelur rregulloret për raportimin e paanshëm.

Më herët, Kina ka kritikuar BBC-në për raportimin mbi pandeminë e koronavirusit dhe persekutimin e pakicës etnike të Ujgurëve në Kinë.

BBC, në reagimin e saj zyrtar tha se “jemi të zhgënjyer që autoritetet kineze kanë vendosur të marrin këtë kurs veprimi. BBC është transmetuesi ndërkombëtar më i besuar i lajmeve në botë dhe raporton për histori nga e gjithë bota në mënyrë të drejtë, të paanshme dhe pa frikë apo favore”.

Sekretari i Jashtëm britanik, Dominic Raab, e quajti masën një “kufizim të papranueshëm të lirisë së medias”.

Më herët, Autoriteti britanik i mediave audiovizive “Ofcom” i revokoi licencën Rrjetit Global të Televizionit të Kinës.