Autoritetet doganore italiane të portit të Barit, së bashku me Guardia di Finanza-n, kanë sekuestruar mbi 225 mijë paund britanik, për një vlerë prej afërsisht 250 mijë euro, të cilat dyshohet se po trafikoheshin  në mënyrë të paligjshme drejt Shqipërisë.

Paratë u gjetën në një furgon me targa angleze, i cili vinte nga Britania përmes portit të Barit dhe më pas do të hynte në Shqipëri, raportojnë mediat italiane.

Paratë u gjetën të ndara në dhjetëra pako të mbështjella me qese plastike mbrojtëse. Ato ishin fshehur në pjesën e sipërme të serbatorit të makinës dhe për nxjerrjen e tyre u desh ndërhyrja e një mekaniku të specializuar.

Drejtuesi i automjetit, i shpallur fajtor për shmangien e detyrimit të deklaratës së parave në doganë, u sanksionua me sekuestrimin e 50% të shumës, për një total prej rreth 120 mijë eurosh, siç parashikon ligji aktual italian.

Autoritetet doganore të portit të Barit, informojnë se prej fillimit të vitit e deri më sot, kanë kapur rreth gjysmë milionë valutë kontrabandë në 21 raste të dokumentuara.