Janë liruar tre të miturit e arrestuar dje në flagrancë teksa tentonin të grabisnin një bankomat në rrugën “Myslim Shyri” në Tiranë.

Policia njofton se ata janë autorë edhe të 6 vjedhjeve të tjera të ndodhura gjatë muajit janar dhe shkurt.

“Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 3 filluan procedimin në gjendje të lirë për 3 shtetasit e mitur që u kapën në flagrancë ditën e djeshme, duke tentuar të vidhnin në një bankomat. Nga veprimet hetimore dyshohet se këta shtetas janë autorë edhe të 6 vjedhjeve të tjera të ndodhura gjatë muajit janar dhe shkurt”, – thuhet në njoftimin e policisë.

Sakaq, mësohet se natën që u arrestuan, ata kishin tentuar, por pa sukses të vidhnin edhe një farmaci dhe një lokal. Nga ky i fundit, ata kishin dalë vetëm me një karikues celulari të vjedhur.