Policia ka gjobitur kryebashkiakun e Skraparit, Adriatik Memaj, i cili akuzohet për organizim të paligjshëm në kohë pandemie, duke thyer rregullat kufizuese të Covid 19.

Sipas policisë, kryetari i bashkisë, është ndëshkuar me masë administrative 1.000.000 lekë, pasi ka organizuar një aktivitet, duke grumbulluar disa persona në shkelje të masave anti-Covid.

“Shërbimet e Policisë Skrapar kanë ndëshkuar me masë administrative 1.000.000 lekë, shtetasin A.M. zyrtar vendor, pasi ka organizuar një aktivitet duke grumbulluar persona, në kundërshtim me pikën 6 të nenit 3 të Aktit normativ Nr. 3 të datës 15.05.2020 “Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19”, njofton policia.

Në ditët e fundit, janë gjobitur për grumbullime të paligjshme në kohë pandemie disa fuknsionarë të lartë politikë në vend, si Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Endrit Braimllari dhe ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, me shumën 5 milionë lekë.