QSUT ka reaguar pas akuzave të bëra nga vajzat e pacientit që humbi jetën nga Covid 19, Rifat Lalo, të cilat pretendojnë se babai i tyre është lënë afër derës në të ftohtë pa marrë shërbimin e duhur mjekësor, teksa ka qenë i shtruar në Spitalin Infektiv.

Në lidhje me këtë, QSUT hedh poshtë çdo insinuatë për mungesë shërbimi dhe thekson se është e gatshme të ofrojë të gjithë informacionin dhe provat e nevojshme, që vërtetojnë të kundërtën.

Reagimi i plotë i QSUT

Në vijim të një interviste të dhënë sot nga vajzat e qytetarit R.L.,duke respektuar dhimbjen dhe rolin që ajo luan në gjykimin e tyre, QSUT dëshiron të sqarojë opinionin publik si vijon:

Pacienti me inicialet R.L ,79 vjeç, ka mbërritur me urgjencë pranë Spitalit Covid 1, ora 16:30 të datës 15 Shkurt 2021, në një gjendje shumë të rënduar shëndetësore, në kushtet e Insuficiencës së rëndë respiratore (me saturime 70% nën oksigjenoterapi 20L).

Menjëherë është pranuar në urgjencën e Spitalit Covid 1 dhe ka marrë shërbimin e nevojshëm shëndetësor, sipas protokolleve.

I është bërë skaneri në orën 17:15, është komunikuar menjëherë pas realizimit të skanerit me familjarët, duke ju shpjeguar gjendjen tepër të rëndë si në aspektin klinik ashtu edhe atë imazherik. Gjendja e pacientit ka vazhduar të jetë e rënduar, ndërkohë që ka qenë gjatë gjithë kohës në oksigjenoterapi (sipas rekomandimeve edhe të mjekëve reanimatorë).

Ndërkohë, mjekja e rojës, është gjendur vazhdimisht nën presionin dhe ndërhyrjet e familjarëve, të cilët kanë pasur madje dhe një komunikim të acaruar mes tyre, në ambientet e jashtme të spitalit, mbi vendimin për ta mbajtur apo për ta nxjerrë pacientin nga spitali dhe për ta dërguar në një shtet tjetër europian për trajtim.

Duke e mirëkuptuar gjendjen e rënduar të të afërmve, mjekja roje dhe kuruese, Dr. Migena Qato ka komunikuar me ta çdo 15 minuta, pavarësisht se sjellja e tyre kundrejt saj, ia ka vështirësuar tej mase ushtrimin e detyrës dhe ofrimin e shërbimit për pacientët e shumtë që merrnin shërbim në spitalin Covid1 ku mjekja shërbente.

Në vijim, komunikimi me dy motrat ka vazhduar edhe nga Shefja e Shërbimit, Prof. Najada Çomo.

Sigurojmë dhe një herë familjarët dhe qytetarët, se pacientit i janë kryer të gjitha shërbimet e nevojshme, por për fat të keq, ai nuk ia ka dalë dot, për shkak të gjendjes së rënduar të mushkërive, në momentin e mbërritjes së tij në spital.

QSUT hedh poshtë çdo insinuatë për mungesë shërbimi dhe është e gatshme të ofrojë të gjithë informacionin dhe provat e nevojshme, që vërtetojnë të kundërtën.

Lusim mediat, që të inkurajojnë qytetarët të paraqiten në kohë pranë shërbimeve shëndetësore për të marrë shërbimin e nevojshëm në kohën e duhur, pasi çdo vonesë sjell pasoja në shëndetin e tyre.

Gjithashtu, garantojmë që stafi ynë mjeksor, do bëjë të pamundurën, ashtu siç ka vepruar për gjatë gjithë kësaj periudhe pandemie me një përkushtim të jashtzakonshëm!