Gjykata e Elbasanit ka pranuar kërkesën e Klement Balilit, të njohur ndryshe si “Eskobari i Ballkanit” për ndryshim të masës së sigurisë.

Burime për ‘Abcnews”, bëjnë me dije se gjykata ka vendosur që të ngrejë një grup me mjekë ekspertë, të cilët duhet të ndërtojnë raportin, nëse Balili është vërtet me probleme shëndetësore apo jo.

Aktualisht Klement Balili vuan dënimin në burgun e Peqinit në siguri të lartë dhe nëpërmjet kërkesës, ai synon që pjesën tjetër ta vuajë në një institucion me siguri të ulët.

Në datë 17 tetor të vitit 2019, Gjykata e Apelit për Krime të Rënda, la fuqi vendimin e Shkallës së Parë, duke dënuar me 10 vjet burg Balilin, një dënim i përfituar falë gjykimit të shkurtuar.

Balili duhet të  kalojë 10 vite në qeli për akuzat për trafik droge, pastrim parash, fshehje të pasurisë dhe për organizimin e një grupi kriminal.

Pak javë më parë, Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), vendosi konfiskimin e pasurive të tij, ku 40% e tyre dot ‘i kalojnë në pronësi të shtetit.

Mes pasurive të sekuestruara, ishte edhe “Santa Quaranta”, resorti në qytetin e Sarandës, biznese dhe 16 apartamente nga 42.5 m2 deri në 91 m2.

Por kush është Klement Balili? Ai ka qenë për dy vite Drejtor i Drejtorisë së Transporteve në qytetin e Sarandës në vitin 2016.

Pikërisht në këtë vit nisi edhe historia. Mediat greke në vitin 2016, pohuan se një sasi prej 700 kilogramë kanabis sativa që u sekuestrua asokohe në shtetn helen, i përkiste Kelment Balilit.

Hetimi ndaj tij në Greqi, është bërë nga “DEA” amerikane dhe policia greke.

Pas një periudhe në arrati, ku ishte shpallur në kërkim, Balili u vetëdorëzua te autoritetet policore shqiptare.