Pas denoncimeve të fundit për mungesë shërbimi nga familjarë të ndryshëm kundër Spitalit Infektiv, një tjetër akuzë e fortë vjen lidhur me trajtimin e pacientëve me Covid në këtë strukturë mjekësore.

Mjeku Altin Kuqo, djali i neurologut Ali Kuqo, i cili ndërroi jetë një ditë më parë pas infektimit me koronavirus, ka akuzuar shefen e Infektivit, Najado Çomo.

Kuqo akuzon Çomon se nuk i ka ofruar shërbimin mjekësor të nevojshëm babait të tij pranë spitalit Covid 1.

Në një koment në rrjetet sociale, ai shkruan gjthashtu se ka prova që vërtetojnë se Çomo nuk ia ka shtruar të atin e infektuar në spitalin Covid (Infektivi).

“Babait tim, profesor i nderuar i Neurologjisë dhe ish-mjek i QSUNT dhe mua si mjek që punoj në QSUNT, na u refuzua shërbimi pranë spitalit Covid 1 nga shefja Najada. Dhe unë disponoj të gjitha provat e refuzimit të shërbimit prej saj”,- lexohet në komentin e Altin Kuqos.

Reagimin, mjeku e bëri në një postim të faqes zyrtare në QSUNT, gjë që ka sjellë shumë komente nga kolegët e tij.

Dy ditë më parë, pati dy denoncime ndaj Spitalit Infektiv nga ana e disa familjarëve, të cilët akuzonin stafin për mungesë shërbimi dhe koordinimi.

Në rastin e parë, dy vajza pretendonin se babai i tyre i sëmurë është lënë pranë derës në të ftohtë dhe pa shërbim, duke mos iu bërë as skaner. Për fat të keq ai ndërroi jetë si pasojë e virusit.

Ndërsa në rastin tjetër, një grua denoncoi stafin e spitalit se nuk po i kthente sendet personale të babait të saj, i cili ishte shtruar i infektuar me Covid.

Pas denoncimit në polici dhe media, asaj iu kthyen sendet që i takonin. Megjithatë, në të dyja rastet, administrata e Infektivit ka reaguar duke përgënjeshtruar akuzat e familjarëve.

Edhe kryeministri Rama, i doli në mbrojtje dje bluzave të bardha, duke u shprehur se familjarët flasin më shumë nga dhimbja për të afrëmit e tyre, duke theksuar se shërbimi mjekësor nuk ka munguar.