Kryeministri Rama ka akuzuar presidentin Ilir Meta se nuk po kryen siç duhet detyrën që i kërkon Kushtetuta.

Në një prononcim për mediat nga selia e PS, pas takimit me shtabin e mazhorancës, Rama ka sulmuar sërish ish-aleatin e tij, duke theksuar se ai i ka humbur marrëdhëniet me trutë e kokës.

Pyetjes për akuzat dhe përplasjet e fundit mes njëri-tjetrit, Rama iu përgjigj me tone të ashpra:

“Unë nuk mendoj që ka nevojë për komente. Veprimtaria ilegale e Ilir Metës është në sy të të gjithëve. Meta nuk është në lartësinë e detyrës, por është nën çdo nivel të justifikueshëm edhe për një person që ka humbur marrëdhëniet me trutë e kokës. Një president, që flet me një gjuhë rruge, që lëviz ditën e natën për qëllime elektroale, që çdo ditë humbet nivel në raport me detyrën, s’ka nevojë ta komentoj unë, sepse të gjithë e shohin, e kuptojnë të gjithë e ndiejnë dhe të gjithë do ta dënojnë me 25 prill. Formalisht, ndërmarrjen e Ilir Metës e drejton gruaja e tij”, – tha mes të tjerash Rama.

Kjo nuk është hera e parë që Rama dhe Meta përplasen në distancë. Akuzat dhe polemikat mes tyre kanë nisur që pas shkëputjes së aleancës PS-LSI në vitin 2017, por në fakt janë ashpëruar shumë kohët e fundit thuajse dy muaj para zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit.

Pikërisht sot në mëngjes, Meta postoi një koment në rrjetet sociale, ku theksonte se zgjedhjet parlamentare do të jenë një referendum për popullin, që do të përmbysë klikën oligarkike në vend.