Një ditë pas ngjarjes së ndodhur dje, ku humbi jetën në një galeri kromi vagonisti 49-vjeçar, Fiqiri Karaj në Bulqizë, policia ka arrestuar në flagrancë armatorin e një subjekti minerar, si dhe ka proceduar penalisht brigadierin e subjektit.

Policia thotë se ka vënë në pranga shtetasin Ç. D., 61 vjeç, banues në Bulqizë, (me detyrë armator në një subjekt minerar në zonën D), si dhe ka nisur procedimin penal në gjendje të lirë për shtetasin F. K., 50 vjeç, banues në Bulqizë,  (me detyrë brigadier), për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.

Sipas policisë, këta dy persona, “kanë patur detyrimin ligjor për kontrollin e vazhdueshëm të gjendjes teknike të galerisë, ku si pasojë e neglizhencës së tyre, mesditën e datës 24.02.2021, në një nga nënkatet e subjektit minerar, është shembur një pjesë armature duke i shkaktuar vdekjen një 49-vjeçari (me detyrë vagonist)”, – thuhet në njoftimin e policisë.

Materialet  procedurale i kaluan  Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër për veprime të mëtejshme.