Joan Laporta është presidenti i ri i Barcelonës. Ish-numri një “blaugrana”, midis viteve 2003 dhe 2010, do të qëndrojë në detyrë për gjashtë vitet e ardhshme.

Ai fitoi bindshëm zgjedhjet presidenciale të klubit katalanas, me 78.85% të votave. Më saktësisht, mori 19.675 vota.

Pas Laportas, u renditën Víctor Font me 10 598 preferenca dhe Toni Freixa, me 3399, ky i fundit një mbështetës i hapur i ish-presidentit Bartomeu.

Për kreun e ri të klubit “blaugrana”, votoi edhe Lionel Mesi.

Me triumfin e tij këtë të dielë, Laporta kthehet për të mbajtur pozicionin që e ka mbuluar në një periudhë që përkon me sukseset e mëdha të Barcelonës më të mirë në histori, të asaj skuadre spektakolare që drejtohej nga Pep Guardiola.

Sfida për Laportën do të jetë e madhe, pasi situata e përgjithshme e është delikate, si në sport ashtu edhe në aspektin ekonomik, për shkak të keqmanaxhimit të kupolës së mëparshme drejtuese.

Hapi i parë dhe më i rëndësishmi, drejt një rilindjeje të Barcelonës, do të jetë bindja e Lionel Mesit për të qëndruar me “blaugranat”.

Laporta, në fakt, u shfaq shumë i sigurt, kur u pyet mëngjesin e së dielës nëse do ta telefonojë babanë e Mesit, Horgen, pasi të fitojë zgjedhjet.

“Nuk do të pres të nesërmen. Mund të flas me të që sonte. Nata është e gjatë”, – tha ai.