Në një operacion ndërkombëtar antidrogë, mes Shqipërisë, Italisë dhe Gjermanisë, që është zhvilluar në orët e fundit, janë vënë në pranga 55 persona, nga të cilët 27 janë shqiptarë.

Në masa ndalimi janë vënë 55 persona, të dyshuar si anëtarë të tre grupeve kriminale trafikantësh, me baza në territorin e provincës së Romës si dhe në qytetet italiane Breshia, Modena, Maçerata, Genova (komuna Rapallo), Parma, Rexhio Kalabria (Çitanova) dhe jashtë kufirit italian, në qytetin Kothen në Gjermani dhe në qytetin e Vlorës në Shqipëri.

Mes 55 të ndaluarve, 3 janë femra, 27 janë shqiptarë, 22 nga Nigeria, 4 janë italianë dhe 1 është nga Gambia.

Akuza ndaj tyre është “pjesëmarrje në aktivitet kriminal, prodhim e trafik ndërkombëtar lëndësh narkotike, falsifikim e mashtrim dokumentesh zyrtare”.

Sipas mediave italiane, grupi i shqiptarëve trafikonte marijuanë nga Vlora drejt Italisë.

Në bashkëpunim me grupin e trafikantëve nigerianë, droga shpërndahej më pas në territorin italian dhe në nivel europian falë një sistemi efikas korrierësh.

Sipas asaj që raportojnë mediat italiane, grupi trafikonte kanabis nga Shqipëria në Itali dhe më pas dërgohej në Gjermani me autobusë dhe trena.