Një ditë pas shpalljes zyrtare të listave të PS për zgjedhjet paramentare të 25 prillit, kryeministri Edi Rama ka sulmuar kundërshtarët e tij politikë, PD dhe LSI.

Ai e konsideroi ‘zhgënjyese’ skuadrën e PD për zgjedhjet e 25 prillit, ndërsa tha se ky nuk ishte maksimumi që mund të bënte kjo forcë politike.

Në një konferencë për shtyp, Rama nuk i kurseu akuzat ndaj kreut të PD-së, Lulzim Bashës, të cilën e etiketoi si një lider “pa karakter, pa vizion e pa forcë”.

“Skuadra e PD është zhgënjyese dhe për mua. Nuk besoj që ky ishte maksimumi që mund të bënte PD, pavarësisht situatës së vështirë ku ndodhet për shkak të një lidershipi pa karakter, vizon e forcë. Nuk besoj që rrethi i influencës së PD të jetë aq i ngushtë dhe që PD mos të ketë mundësi të ofrojë më shumë se sa kaq. Lista e PD është afirmimi i fosilizimit”, tha Rama.

Më pas, ai u ndal te lista e LSI-së, duke theksuar se ajo është “listë për SPAK dhe OFL”. Sipas kryesocialistit, LSI është “katandisur si mos më keq”.

“Për listën e LSI-së, nuk dua të humbas kohë, është lista e SPAK-ut dhe OFL-s. Nuk kishte si të ishte ndryshe. Më vjen keq për shumë të rinj e të reja që nuk i përkasin këtij kategorizimi, por janë një enturazh, si mezet rreth karkalecave të tiganit të Monikës. Kurse karkalecat janë aty në qendër dhe është konfirmim i një katandie si mos më keq të një force politike që sot është një magazinë private që administrohet nga gruaja e presidentit dhe që shet dokrra dhe blen vota”, shtoi Rama.