Kryebashkiaku i Vlorës, Dritan Leli, është përjashtuar nga Partia Socialiste. Lajmi u është komunikuar strukturave lokale mbrëmjen e djeshme nga Damian Gjiknuri, drejtues politik i qarkut.

Gjiknuri ka njoftuar ndarjen e socialistëve me Lelin, duke u lexuar anëtarëve edhe një mesazh telefonik të kryetarit Edi Rama. “Dritan Leli nuk është më pjesë e jona, nuk do të dalim përkrah tij në fushatë”, është shprehur Gjiknuri.

Kryeministri dhe njëkohësisht kryetari i PS-së, Edi Rama, kandidon pikërisht në Vlorë dhe mban vendin e tetë. Rama shpresonte që me Lelin në krye të fushatës së Vlorës, të merrte 9 mandate.

Por tani gjërat janë në rrezik dhe këtë e pranon edhe Rama. Ai ka shkruar një letër që iu paraqit dje Asamblesë së PS së Vlorës, duke shpallur të padëshiruar në fushatë dhe në parti, kryetarin e bashkisë së Vlorës, Dritan Leli.

Rama e ka shkruar letrën pas refuzimit të Lelit për t’u bërë deputet. Refuzimi erdhi edhe pasi Rama e mbështeti Lelin, për dy mandate radhazi në drejtimin e bashkisë së qytetit bregdetar.

Letra që u lexua në mbledhjen e asamblesë nga Damian Gjiknuri, u prit me habi nga anëtarët që e panë këtë si një zhvillim të papritur.

Rama argumenton në letër se sipas sondazheve të bëra nga Partia Socialiste, nëse Leli do të përfshihej në listat e deputetëve, ky qark do të arrinte deri mandatin e nëntë të kësaj force në qytetin bregdetar.

Kryesocialisti shkruan ndër të tjera se shkak për këtë vendim, është bërë refuzimi që kreu i Bashkisë Dritan Leli, i ka bërë ftesës së Edi Ramës për të qenë në listën e deputetëve.

Të njëjtën kërkesë për të braktisur mandatin e kryebashkiakut dhe të kandidojnë për deputetë, Rama njoftoi se e ia ka bërë edhe kryetarit të bashkisë së Dibrës. Ky i fundit pranoi menjëherë që të ikte nga bashkia.

Madje Rama shkruan se “që në qershor, Leli thoshte se për ty jap dhe jetën, ndërsa sot nuk ndërron as karrigen për mua dhe Partinë Socialiste”.

Përjashtimi i Lelit nga Partia Socialiste erdhi pasi kryebashkiaku i Vlorës refuzoi të japë dorëheqjen për t’u kandiduar si deputet, kur mësoi se i ishte ofruar një pozicion jo i favorshëm në listë.

Dritan Leli u zgjodh në krye të Bashkisë së Vlorës në vitin 2015, si një propozim i Koço Kokëdhimës, atëherë një nga njerëzit më të afërt të kryesocialistit Rama. Ndonëse ky i fundit e konfirmoi në zgjedhjet e vitit 2019, mes tij dhe Lelit marrëdhëniet ishin krisur prej kohësh.

Nuk ka një reagim nga kryebashkiaku, i cili këto ditë, ka vazhduar punën e tij në qytetin bregdetar madje ka patur një aktivitet të zgjeruar edhe në takime me ambasadorë të ndryshëm.

Kandidatët e PS në qarkun e Vlorës

Pranvera Resulaj Anduel Tahiraj Vullnet Sinaj Anila Denaj Niko Kuri Ilir Metaj Damian Gjiknuri Edi Rama Teuta Rama Ervis Mocka Alket Hyseni (u tërhoq) Laura Ferhati