Muaji mars mban festën e Ditës së Verës, e quajtur dhe “festa e luleve”, që tashmë ka marrë përmasa të mëdha në gjithë vendin, si festa e gjallërimit të natyrës dhe shpirtit, paqes dhe harmonisë, gëzimit dhe dashurisë njerëzore. Festa zakonisht nis gjallërinë e saj mbrëmjen e 13 marsit për të vijuar gjithë ditën e 14 marsit, deri në perëndim të diellit. Më poshtë po rendisim disa nga gjërat që ndoshta nuk i dini lidhur me këtë festë.

Origjina e Ditës së Verës vjen nga lashtësia. Ajo është festë arbëreshe e trashëguar në veçanti nga qytetarët e VALM‐it Elbasanit (Skampa e lashtësisë) dhe festohet gjithmonë më 14 Mars.

Dita e Verës, e njohur si festa e ripërtëritjes së natyrës dhe e vazhdimësisë së jetës, është sot festë kombëtare dhe festohet kombëtarisht si e tillë.

Mëngjesi i 14 marsit – Të gjithë zgjohen me të njëjtën lutje: Inshalláh është kohë e mirë! Rituali vijonte me përgatitjen nga i zoti i shtëpisë të pjatave për të bërë kamë (këmbë) te të afërmit etj. Këtu hynin pilafi me gjel, ballakume ose revani, vezë të ziera, arra, palë dhe 2-3 bisqe me lule, zakonisht lule misiri, që në Elbasan çelin herët.

Kulti i kësaj dite të shenjtë “tempullin” e vet e ka pasur qëmoti në trevat e Elbasanit, pasi në këto anë ndodhej faltorja e Zanës së Çermenikës (Diana Candaviensis). Në kohët e lashta perëndesha Diana mbahej si hyjnesha e gjuetisë, pyjeve dhe e gjithë natyrës. Ajo adhurohej jo veç në hapësirat ilire, por në mbarë brigjet mesdhetare. Statuja të saj janë gjetur jo veç në Apolloni, por dhe në brigjet e Afrikës Veriore e në Azi të Vogël.

Fakti që një festë mistike e natyrës, u ruajt në qytetin e Elbasanit dhe u përcoll “e pastër” deri më sot, pavarësisht tallazeve historike, ideologjike e fetare, përbën një krenari dhe pasuri gjithëkombëtare.

Shenja dalluese e këtij festimi është gatimi i ballokumeve. Ndërsa në Lezhë Ditën e Verës ndizeshin zjarre purifikues e për t’i dhënë forcë diellit në oborr e në kopshte. Nga gratë bëheshin rite magjike e kundër qenieve të tjera dëmtuese, grabitëse.

Më 13 mars njerëzit marrin një tufë të vogël bari të njomë bashkë me rrënjët dhe dheun, që ta kenë në mëngjesin e datës 14 Mars në shtëpi. Ky zakon i lashtë ruhet dhe festohet jo vetëm në Elbasan, po edhe në Dibër, Strugë e Prespë.

Dita e Verës ishte dita e fillimit të vitit sipas kalendarit shumë të lashtë të shqiptarëve, pra një ditë që kremtohej shumë shekuj para se të lindte krishterimi. Ajo kremtohej me 1 Mars të kalendarit Julian, ditën e parë të vitit të ri (sipas kalendarit Gregorian, 14 Mars).