Shqipëria mund të identifikojë në laboratorët e Institutit të Shëndetit publik variantin britanik të Covid-19 që po qarkullon në vend.

Në mjediset e këtij laboratori ku çdo ditë testohen mbi 1 mijë mostra të dyshuara për koronavirus.

Por ende specialistët çojnë drejt Londrës kampionatura të përzgjedhura në rastet pozitive, të cilat ashtu si dhe në rastin e gripit stinor shërbejnë për të përcaktuar më mirë llojet e vaksinës që frenojnë përhapjen.

“Ne do të vazhdojmë të jemi në komunikim me laboratorët e referencës. Presim dhe përgjigje të kampioneve që janë dërguar në Britani sepse ne nuk marrim tashmë vetëm 1 përgjigje pozitiv apo negativ. Shikohet si është ky kampion, shikohet çfarë varianti ka persistuar në këtë popullatë ku është marrë kampioni dhe kjo është një gjë shumë e rëndësishme në lidhje dhe me përzgjedhjen e varianteve që bëhen pjesë e vaksinës”, tha Iris Hatibi.

Sakaq, Shqipëria aktualisht po operon me testet e shpejta dhe PCR për të gjitha rastet e dyshuar për Covid-19. Që prej fillimit të pandemisë në vend janë realizuar rreth 510 mijë testime prej të cilave mbi 116 kanë rezultuar pozitive.

Prej 11 Janarit, kohë kur ka nisur procesi i vaksinimit janë vaksinuar rreth 25 mijë mjekë, të moshuar dhe mësues.

Por vendi ynë paralelisht nuk duhet të jetë skeptike për të vijuar procesin e  vaksinimit me AstraZeneca. Në një interviste për Tv Klan drejtori i sapo emëruar i zyrës së OBSH në Shqipëri Gerlad Rockenschaub deklaron se nuk ka asnjë arsye që përdorimi i kësaj vaksine të pezullohet.

“Agjencia Europiane e Barnave po i shikon me shumë kujdes këto incidente dhe në këtë moment nuk ka asnjë arsye për të pezulluar vaksinimin me vaksinën AstraZeneca. Ajo që është me rëndësi në këtë moment është që të gjitha incidentet janë duke u investiguar me shumë kujdes dhe deri më tani nuk ka asnjë indicie që ato janë të lidhura me procesin e vaksinimit”, tha Rockenschaub.

Qarkullimi i variantit britanik në Shqipëri apo dhe i mutacioneve të reja duhet te rrisë vëmendjen për të monitoruar me kujdes situatën. E nëse shifrat rriten, OBSH rekomandon forcim të masave.

“Ajo që ne dimë për këtë mutacion të ri dhe që na shqetëson është që transmetohet më thjeshtë sesa virusi origjinal. Mendoj se duhet t’i monitorojmë rastet me kujdes dhe duke qenë se rastet mund të fillojnë të rriten përsëri mendoj që është koha të mendojmë për masa me të forta dhe mendoj që Komiteti Teknik i Ekspertëve do t’i shqyrtojë ato”.

Fundi i pandemisë ende nuk dihet, por shtimi i vaksinave në lloj dhe sasia e shoqëruar me masat e tjera mbrojtëse, rrit shpresën për të vënë nën kontroll Covid-19.

“Vaksinat do të na ndihmojnë të përmbajmë pandeminë por duhet theksuar që është shumë e rëndësishme në këtë fazë të forcohen masat e sigurisë së shëndetit publik distanca sociale, vendosja e maskës, higjiena e duarve”.

Shqipëria numëron aktualisht mbi 34 mijë të infektuar me koronavirus dhe mbi 2 mijë viktima në 1 vit pandemie.