Gjuha Shqipe, lufta për ta ruajtur dhe zhvilluar atë, ka qenë themel i Rilindjes Kombëtare të shqiptarëve dhe shtetësisë së këtij vendi, por edhe më shumë pjesë thelbësore e identitetit kombëtar që mbajti gjallë frymën e shqiptarisë në territoret që iu shkëputën Shqipërisë së pavarur të shpallur në vitin 1912, dhe iu bashkangjitën shteteve fqinje.

Shqipëria dhe shqiptarët jashtë kufijve të saj shtetërore, janë poliglotë dhe flasin një ose më shumë gjuhë të huaja.

Në Shqipëri, në mars të këtij viti, një vendim i miratuar nga Këshilli i Ministrave më 24 shkurt 2021 parashikoi futjen e gjuhës turke në sistemin arsimor shqiptar si lëndë me zgjedhje të lirë. Marrëveshja e firmosur nga ministritë përkatëse të arsimit planifikon rishikimin e teksteve shkollore në bashkëpunim me shtetin turk.

Aktualisht në shkollat e vendit, lëndë me zgjedhje janë anglishtja, frëngjishtja, spanjishtja dhe greqishtja për zonat e minoritetit grek.

Në vitin 2017, Turqia vendosi përfshirjen si lëndë me zgjedhje të gjuhës shqipe dhe asaj boshnjake në shkollat e mesme të ulëta. Pas përcaktimit së gjuhës shqipe dhe asaj boshnjake si lëndë me zgjedhje për mijëra nxënës të 150 shkollave në Turqi, ministria turke e arsimit nënshkroi një protokoll bashkëpunimi me Rektoratin e Universitetit të Trakya-s, për përgatitjen e materialeve mësimore.

Mësimi shqip filloi për herë të parë në Izmir.

Por në një pjesë të madhe, gjuhët e huaja për shqiptarët, kudo ku jetojnë, kanë qenë në një masë të madhe, një zgjedhje politike, e ndikuar nga sundime apo aleanca të përkohshme.

Në Shqipëri, shqiptarët kanë pasur në sistemin arsimor gjuhë të ndryshme të huaja në varësi të miqësive të pushtetit me një vend a me një tjetër.

Në vitet e pasluftës, pati nisur të futej në shkollat shqiptare edhe mësimi i serbokroatishtes, që zgjati deri në prishjen e miqësisë shqiptaro-jugosllave ndërsa më pas gjuha kryesore e huaj bëhet rusishtja që përkon me miqësinë shqiptaro-sovjetike.

Rusishtja vazhdoi të mësohej deri në rënien e komunizmit në Shqipëri, duke u shoqëruar paralelisht me frëngjishten dhe më pak më vonë me anglishten dhe italishten.

Në gjysmën e dytë të viteve ’80, përhapet edhe më shumë mësimi  i gjuhëve të huaja në shkollat shqiptare të kohës duke përdorur si mburojë ideologjike thënien e Marksit, se “një gjuhë e huaj është një armë në luftën e jetës”.

Zëri i Popullit shkruante në korrik 1988 se në 15 vitet e fundit ishin botuar 25 fjalorë dygjuhësh me nga 50.000 fjalë secili, frëngjisht-shqip, anglisht-shqip, italisht-shqip dhe gjermanisht-shqip. Ishin botuar edhe doracakë bisedimorë anglisht-shqip dhe gjermanisht-shqip. Shqiptarët bëhen ndërkohë ndër pak popujt që e mësojnë një gjuhë të huaj përmes programeve televizive, siç ishte rasti i italishtes.

Vitet ‘90 shënojnë edhe fillimin e emigrimit masiv drejt Greqisë dhe Italisë, dhe të dy gjuhët përkatëse bëhen edhe më të rëndësishme, për shkak të nevojës për të punuar në ato vende. Sistemi arsimor shqiptar e ka bërë gjuhën e huaj të detyrueshme që në ciklin fillor, dhe është po kështu provim mature.

Zhvillimet ekonomike dhe tregu i punës, i ka orientuar shqiptarët drejt gjermanishtes ku përpiqen të emigrojnë pjesa më e madhe.

Por jo vetëm shqiptarët. Sipas një raporti të  bazuar në të dhënat e siguruara nga aplikacioni për mësimin e gjuhëve të huaja “Duolingo”, gjermanishtja është gjuha më popullore në Bosnjë-Hercegovinë, ashtu si edhe në shtetet e tjera të Ballkanit, si Sllovenia, Kroacia, Serbia, Mali i Zi, Shqipëria, Maqedonia dhe Bullgaria.

Shumë të rinj në Shqipëri edhe në rajon, përpiqen të mësojnë gjermanisht për tu punësuar në Gjermani, e cila ka nevojë për këtë krah pune.

Sipas të dhënave të publikuara nga Eurostat në tetor 2019, lidhur me njohuritë që kanë qytetarët mbi gjuhët e huaja, rreth 26% e shqiptarëve në Shqipëri fliste edhe një gjuhë tjetër përveç gjuhës së nënës, ndërsa 11% e popullsisë në vend fliste dy gjuhë të huaja. 3.2% e popullsisë shqiptarë njohin 3 ose më shumë gjuhë të huaja.

Rekordin për keq e mbante pikërisht Turqia, ku sipas Eurostat, rreth 82% e popullsisë nuk dinte asnjë gjuhë tjetër përveç turqishtes. Pas Turqisë renditej Mbretëria e Bashkuar.

Në vendin e tretë ishte Rumania ku 64% e popullsisë nuk fliste asnjë gjuhët të huaj, e ndjekur nga Bosnje dhe Hercegovina me 61%. Dy vende të tjera të Ballkanit ishin më mirë në këtë renditje, Maqedonia e Veriut me 32%, dhe Serbia me 21%.

Ndër vendet me nivelin më të lartë, ishte Qipro, me 62.2%, pikërisht sepse në vend fliten dy gjuhë, greke dhe turke, dhe qytetarët janë të detyruar të dinë përveç gjuhës amtare, edhe gjuhën që flet pjesa tjetër.

Sipas të dhënave të Eurostat rreth 75 përqind e shqiptarëve që kërkojnë azil në vendet e Bashkimit Evropian janë nën moshën 34 vjeç dhe mësimi i gjuhëve të huaja shkon bashkë me këtë shifër në pjesën më të madhe.

Në Kosovë, mësimi në shkollat fillore mbahet në pesë gjuhë: në gjuhën shqipe, serbe, boshnjake, turke dhe kroate, ndërkohë që gjuha angleze fillon që në shkollën fillore. Gjermanishtja është në rritje për shkak edhe të interesit për emigrim.

Historia e mësimit shqip në Kosovë ka ulje-ngritjet e veta në varësi të pushtimeve të huaja. Në vitet e pushtimit osman mësimi i gjuhës shqipe bëhej fshehurazi në ato pak shkolla fetare që u lejuan të vazhdonin veprimtarinë e tyre, si në vitin 1584, në Stubëll të Kosovës, apo në Janjevë në vitin 1665.

Gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare, në Prizren hap më 1 maj të vitit 1889 “Shkolla Shqipe e Djemve” nën drejtimin e mësuesit Mati Logoreci.

Më vonë në këtë shkollë punoi edhe mësuesi tjetër Lazër Lumezi. Në vitin 1892 në Prizren hapet edhe “Shkolla Shqipe e Vashave”. Më pas, mbretëria serbo-kroato-sllovene jo vetëm që nuk lejoi hapjen e shkollave dhe veprimtarinë botuese në gjuhën shqipe, por edhe e ndaloi përdorimin e saj në jetën publike. Gjatë Luftës së Parë Botërore, territori i Kosovës u nda në dy zona pushtimi. Në zonën lindore e cila ishte nën pushtimin bullgar u ndalua rreptësisht hapja e shkollave shqipe.

Në zonën perëndimore e cila ishte nën pushtimin e Austro-Hungarisë u lejuan shkollat shqipe dhe u arrit që në Gjakovë të mësonin 840 nxënës ndërsa në Pejë 700 nxënës. Me krijimin e Mbretërisë Jugosllave nisi fushata kundër arsimit shqiptar: u mbyllën 55 shkolla shqipe me rreth 4 mijë nxënës dhe 100 mësues, por gjuha shqipe vijoi të mësohej fshehurazi.

Gjatë viteve 1941-1944 arsimi funksiononte në bazë të ligjeve dhe rregullave arsimore të Ministrisë së Arsimit të Shqipërisë të cilën e drejtonte Ernest Koliqi. Në këtë periudhë, sipas të dhënave, në Kosovë u hapën 173 shkolla fillore në gjuhën shqipe, disa të mesme si gjimnazet në Prishtinë, dhe Prizren, Instituti Tregtar Agrar në Pejë, Shkolla Normale-Tregtare në Gjakovë dhe disa gjimnaze të ulëta me 267 paralele.

Mësuesit e ardhur nga Shqipëria, patën përveç të tjerash ndikim në fuqizimin e ndjenjës kombëtare, duke u mësuar fëmijëve shqiptarë historinë kombëtare. Kjo ishte shumë e rëndësishme sepse deri në atë periudhë ata kishin mësuar në shkolla vetëm në gjuhën serbe. Rreth 300 mësues që shkuan nga Shqipëria, jo vetëm hapën shkollat, por dhe mbanin kurse për zhdukjen e analfabetizmit në të gjitha qendrat e Kosovës, me grup-mosha të ndryshme.

Mbarimi i Luftës së Dytë Botërore e gjeti Kosovën me 278 shkolla fillore dhe 11 shkolla të mesme, madje më 26 tetor 1946 u rihap Shkolla Normale në gjuhën shqipe. Por filloi menjëherë persekutimi i mësuesve shqiptarë me motive politike-ideologjike, duke i quajtur ata armiq, u dëbuan nga arsimi 714 mësues, një pjesë u burgosën dhe një pjesë u detyruan të largoheshin për në Turqi, filluan të ndaloheshin disa tekste në gjuhën shqipe dhe të përktheheshin të tjera nga gjuha serbo-kroate.

Dhënia e autonomisë së Kosovës i jep shtysë edhe zhvillimit të arsimit, megjithatë gjuha serbo-kroate vazhdon të mbetet pjesë e sistemit arsimor.

Heqja e autonomisë së Kosovës nga regjimi në Beograd me në krye Sllobodan Milloshevicin, dhe ajo që pason, shënjohet edhe me mbylljen e institucioneve arsimore shqiptare dhe ndërtimin e një sistemi parallel të arsimit ku mësohej nëpër shtëpi.

Çlirimi i Kosovës i jep frymëmarrje arsimit dhe e rikthen atë nga bodrumet ku mësohej në sistemin parallel pas mbylljes së institucioneve shkollore, në kthimin në bankat shkollore. Numri i madh i ushtarëve të forcës së NATO-s nga vende të ndryshme si dhe numri i madh i stafit civil ndërkombëtar, bën që gjuha e huaj të bëhet nevojë në komunikimin e përditshëm.

Më vonë, kësaj i shtohet edhe përpjekja për emigrim për shkak të problemeve ekonomike.

Anglishtja, gjermanishtja, frëngjishtja mbeten gjuhët e huaja të preferuara në Kosovë ndërkohë që gjuha turke është pjesë e sistemit për anëtarët e kësaj pakice në vend.

Në Maqedoninë e Veriut, gjuha do të ishte një nga betejat më të mëdha për shqiptarët. Ligji për zyrtarizimin e gjuhës shqipe në nivel institucional, u shoqërua me protesta të dhunshme nga nacionalistët maqedonas.

Shqiptarët në këtë vend i flasin të dyja gjuhët, shqip dhe maqedonisht ndërkohë që gjuhët e tjera kanë të bëjnë kryesisht më vendet ku kanë emigruar për shkaqe ekonomike apo politike, sic janë vendet e Evropës Perëndimore si Zvicra apo Gjermania apo edhe vendet nordike.

Në Mal të Zi, shqiptarët në pjesën më të madhe i flasin gjithashtu të dyja gjuhët, edhe gjuhën e nënës, shqipen, edhe gjuhën malazeze.

Gjuhët e tjera kanë të bëjnë po kështu me vendet ku emigrojnë, në Shtetet e Bashkuara apo në vendet e Evropës Perëndimore, si Zvicër, Francë, Gjermani apo vendet nordike.

Në Luginën e Preshevës, beteja është bërë për atë më baziken, Abetaren në Gjuhën Shqipe dhe tekstet shkollore në gjuhën shqipe, ku Shqipëria dhe Kosova janë përpjekur të ndihmojnë me tekste shkollore.

Shqiptarët edhe në Luginë i flasin të dyja gjuhët, shqip dhe serbisht ndërkohë që gjuhët e tjera kanë të bëjnë më shumë me vendet e emigrimit për arsye politike dhe ekonomike.

Shqiptarët, pavarësisht se ku jetojnë dhe pavarësisht nga rrethanat historike, janë një popull multilingual. Anglishtja, italishtja, gjermanishtja, frengjishtja, greqishtja dhe gjuhët e popujve të tjerë të Ballkanit, janë gjuhë të dyta apo të treta që shërbejnë për komunikim ndër-njerëzor apo për punë.

Dhe e vërteta është që gjuha shqipe është një nga gjuhët e rralla që me sistemin e saj fonetik e bën të lehtë për cilindo shqiptar që të mësojë një gjuhë të huaj.

Dhe sigurisht, një gjuhë e huaj më shumë është parë nga shqiptarët si një mundësi më shumë në tregun e punës dhe në komunikimin midis popujve, dhe jo si mjet diskriminimi, siç është përdorur nga ballkanikët e tjerë!