Kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi u shpreh sonte se fakti që për 12 vite që nga momenti i krijimit të saj, partia që ai drejton nuk ka qenë në qeverisje lidhet me presionin e Greqisë mbi spektrin politik shqiptar, ndërsa postin e n/kryetarit të parlamentit pak vite më parë e cilësoi simbolike.

Por, a po i bën Greqia presion PD-së që PDIU të mos jetë në qeverisjen e ardhshme? “Jo nuk thash këtë gjë, thashë një gjë të ngjashme. Nuk është ndonjë fakt besoj që po e them unë për herë të parë, pasi Greqia ka bërë gjeste të tilla të pakuptimta në kapërcim të çdo të drejte me Shqipërinë, ju kujtohet rasti kur një shqiptar i Çamërisë, deputet i Shqipërisë u zgjodh nën kryetar i Kuvendit dhe shteti grek reagonte”.

Këmbënguljes së gazetarit Endri Xhafo, nëse ka presion Basha, që ai të mos jetë në qeveri nëse PD fiton zgjedhjet, Idrizi iu përgjigj “Padyshim, jo vetëm, nuk e them për zotin Bashën por për të gjithë spektrin politik shqiptar dhe besoj mund të hapni rekordet dhe sesi emisarë të Greqisë kanë ardhur dhe janë interesuar për pozicionet e PDIU dhe kjo është arsyeja që jo vetëm qenia e deputetëve të PDIU në Kuvend do ta ngrejë zërin për shumë cështje. Rezultati i opozitës dhe PDIU do të tregojë peshën e vet reale”.

Por a është kjo arsyeja që nuk kanë qenë në qeverisje? “Padyshim dhe nëse ka një arsye, pse PDIU nuk ka qenë asnjëherë në 12 vite të ekzistencën së saj në qeverisje ka qenë presioni i Greqisë dhe intimidimi i tyre” përfundoi ai.