Kryetari i KQZ, Ilirjan Celibashi ka propozuar fletën votimit për zgjedhjet e 25 prillit.

Celibashi ka zgjedhur fletën e votimit ku partitë do të jenë me logo, ndërsa kandidatët me emra.

Fleta e votimit e propozuar nga Celibashi ka në krye të ndarjes emrin e subjektit dhe poshtë tij listën e kandidatëve për deputetë. Megjithatë ajo kundërshtohet nga Partia Socialiste.

Ky është varianti që kërkoi Partia Demokratike, ndryshe nga PS-ja që ishte për identifikimin me numra.

Por Komisioni Rregullator me unanimitet shpalli moskopetencë për miratimin e fletës së votimit.

Kështu edhe pse ndodhemi 24 ditë larg mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit, ende nuk kemi një fletë votimi të miratuar nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Ditët e fundit në tavolinë ishin tre modele për fletën e votimit dhe komisioneri Celibashi ka zgjedhur njërën prej tyre.