Kryeministri Edi Rama ka mbajtur takimin e radhës në Gramsh, në kuadër të fushatës elektorale për zgjedhjet e 25 prillit.

Rama theksoi se oferta e opozitës është si recetat e Sudes, duke shtuar se këto zgjedhje janë sprovë karakteri për shqiptarët, për të bërë të mundur ndryshimin e Shqipërisë përmes punës.

“Data 25 prill është sprovë karakteri për shqiptarët, ku do të vendosim a do ngjitemi me mund, me sakrifica apo do i biem shkurt, duke rendur pas recetave çudibërëse të parave që do të shpërndahen lumë. Nuk mund të besojmë tek recetat e Sudes. Asgjë nuk ngrihet nga toka përveç se me djersë dhe sakrifica. Ata vende që janë ngritur janë ngritur nga puna dhe sakrifica. Jeta është malore dhe kjo botë është e guximtarëve, kjo botë është e guximtarëve. Nuk ka sukses të lehtë.

Që të kemi sukses më shumë, duhet të punojmë më shumë.  Mos u ktheni pas, për të emëruar njerëz me parti e ku partia bën gjithçka. E ardhmja nuk vjen vetë, me premtime me fushë me lule. Përpara ka rrugë përpjetë, që duhet ta ngjisim se nuk bën. Ata i ranë shkurt, duke parë vetëm klanin e tyre, familjen e tyre. Nuk e dua pushtetin për veten time. Nga emigracioni më ka sjellë maja që kam parë për Shqipërinë. Jam këtu për të dhënë mishin e shpirtin për të kapur atë majë. Jemi partia, e atyre që zgjohen në mëngjes dhe shkojnë në punë për të fituar paratë për të jetuar sa më mirë. ndryshimin e sjell vetëm puna e pasioni për t’ia dalë”, tha Rama.

Edi Rama vlerësoi se qeveria e tij ka bërë një luftë të pandërprerë për të rregulluar pasojat e tërmetit dhe për të luftuar pandeminë.

“Shqiptarët kanë shkuar pas haxhi Qamilit, pas Sudes e Xhaferrit dhe e paguan shumë shtrenjtë. Ne kemi vendosur që të përballemi, për të reformuar sistemin e drejtësisë, kemi vendosur që të përballemi me varfërinë, për t’i dhënë fund vjedhjes së energjisë, vjedhjes së ujit, duke i dhënë fund grabitjeve dhe zaptimeve të pronave. Ne iu shkojmë në rrënjë problemeve. Vetëm përmes punës mund të arrijmë shumë. Sfidat fitohen vetëm duke u përballur me to. Ne iu dhamë strehë atyre që u dëmtuan nga tërmeti.

Ne po dalim më të fortë pas goditjes së tërmetit. Na ndodhi edhe tërmeti i pandemisë së padukshme, por ditëm ta përballojmë. Ne nuk pamë kush është demokrat e kush socialist, por pamë secilin si gjyshin e gjyshen tonë. Ne jemi në mes të luftës për pandeminë. Shqipëria, ndër të parat vende që do ta lë pas tunelin e pandemisë. Këtë luftë do ta fitojë kjo shumicë qeverisëse. Pa politikën, Shqipëria nuk mund të bëhet e ardhmja jonë”, u shpreh Rama.