Ky pushtet prodhon më shumë skandale të korrupsionit seç mund t’i ndjekë
opozita dhe opinioni i përgjithshëm. Kështu derisa ende nuk kanë
përfunduar komentet rreth arrestimit të ish Sekretarit të Qeverisë,
pikërisht për arsye të korrupsionit, një aferë e përmasave të këtilla po
zbulohet edhe në Drejtorinë e Librave Amë, që udhëhiqet nga kuadri i
BDI-së, Bujar Dardhishta.
Siç u raportua në media, në emër të digjitalizimit të librave amë, aty
është realizuar një tender në vlerë prej afër gjysmë milionë euro (më
saktë 480.000 euro), të cilin e ka fituar ndërmarrja “Nova inv” – pronë
e të birit të një ish funksionari të BDI-së dhe aktualisht ambasador në
një vend europian, që është krijuar para tre muajve ose vetëm një muaj
para se të shpallet furnizimi publik. Dyshimi mbetet edhe te kriteret e
vendosura, si ndryshimi i kushteve themelore, që në vend të përvojës së
ndërmarrjes dhe stabilitetit të saj financiar, janë vendosur
kualifikimet e personelit dhe kjo, si duket, është bërë me qëllim që atë
ta fitojë ndërmarrja përkatëse, madje duke i diskualifikuar aplikuesit e
tjerë ose duke pamundësuar aplikime të tjera.
Duke pasur dyshim të bazuar, jemi sot këtu që – në emër të koalicionit
Aleanca për Shqiptarët & AlternAtivA – të reagojmë dhe të kërkojmë nga
Komisioni për Parandalimin e Korrupsionit ta hetojë këtë rast, si dhe
nga Prokuroria Publike që të veprojë përkitazi me këtë lëndë.
Meqë ky nuk është rast i parë që Drejtoria e Librave Amë realizon
tenderë të këtillë të dyshimtë, presim nga institucionet e
lartpërmendura që – në emër të transparencës – të japin më shumë detaje
rreth këtyre shenjave të korrupsionit dhe, përveç kësaj, të na njoftojmë
se për llogari të cilit funksionar të BDI-së janë realizuar këto
përfitime. A është përfituesi i fundit drejtori i këtij institucioni apo
kjo shkon deri te kryetari i BDI-së?
Ne si opozitë do të presim përgjigje dhe nuk do të heqim dorë nga
interesi ynë për ta kuptuar të vërtetën. Në të kundërtën, do të duhet të
konkludojmë se bëhet fjalë për korrupsion tipik që sponsorizohet nga
pushteti.
Për fund duhet ta përsërisim se një qeveri që edhe në kushte të krizës
ekonomike dhe të pandemisë synon të vjedhë para publike sigurisht që nuk
meriton të vazhdojë të qeverisë. Prandaj, një shumicë e re, një qeveri
me bazë të gjerë ose një qeveri ekspertësh mund të ishte shpëtimi nga
kjo gjendje.