Policia ka dhënë detaje për plagosjen e simpatizantit të Partisë Demokratike, Bledar Okshtuni në Kavajë mbrëmjen e sotme.

Uniformat blu bëjnë me dije se është identifikuar dhe shpallur në kërkim autori i plagosjes së 27-vjeçarit.

Burime bëjnë me dije se autori i shpallur në kërkim është Ndriçim Jonuzi ose Ndriçim Tahiri, pasi e ka ndërruar mbiemrin. Ky shtetas është me precedent të theksuar kriminal në fushën e krimit kundër jetës në një vend të BE-së.

Sipas policisë, Jonuzi, dyshohet se si pasojë e një konflikti  për motive të dobëta, ka hyrë në ambientet e brendshme të një zyre elektorale të një subjekti politik  dhe  ka plagosur me armë zjarri pistoletë në këmbë 27-vjeçarin Okshtuni. Mbështetësi i PD ndodhet në spitalin e Durrësit, ku po merr trajtim mjekësor.

Njoftimi i policisë:

Plagosi me armë zjarri 27 vjeçarin, identifikohet dhe shpallet në kërkim autori i dyshuar.

Vijon krehja e zonës për kapjen e tij.

Sot rreth orës 19:00, në lagjen nr.4, në Kavajë, shtetasi N. J., dyshohet se si pasojë e një konflikti  për motive të dobta, ka hyrë në ambientet e brendshme të një zyre elektorale të një subjekti politik  dhe  ka plagosur me armë zjarri pistoletë në këmbë shtetasin B. O., 27 vjeç, i cili ndodhet në spitalin e Durrësit, nën kujdesin e mjekëve.

Menjëherë forca të shumta Policie kanë shkuar në vendngjarje dhe vijon krehja e zonës si edhe janë ngritur pika kontrolli në hyrje -dalje të Qytetit për kapjen e autorit.

Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon punën  për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.