Këtë të martë është nënshkruar marrëveshja për aeroportin e Vlorës. Në takimin e zhvilluar ditën e sotme, kryeministri Edi Rama njoftoi se pritet që javën tjetër do të çelet edhe gara për aeroportin e Sarandës.

Gjithashtu ai theksoi se investimet në aeroporte, janë një mundësi e mirë punësimi, ndërsa i vlerësoi këto projekte si “fabrika” që sigurojnë bukën.

“Lajmi i bukur sot është që pista e Vlorës dhe të gjitha kushtet e aeroportit të Vlorës janë të tilla që fluturimet New York-Shqipëri të mos jenë vetëm New York-Tiranë por edhe Vlorë -New York sepse unë e kam thënë dhe nuk i ndahem gjërave që them.

Ne do ta çojmë Fan Nolin në Amerikë dhe shqiptarët do t’i sjellim nga Amerika direk në Shqipëri pa qenë të detyruar të rrinë në aeroporte të tjera. Shqipëria do të bëhet një vend ku numri i turistëve do të rritet. Nuk janë vetëm këto porta nga qielli, por janë dhe katër porte të tjera nga deti.

Baca Behgjet qesh kur dëgjon këta injorantët. Por injorantët insistojnë që Shqipëria nuk ka nevojë për aeroporte, por për bukë. Por e para shqiptarët nuk kanë vuajtur për bukë që nga koha e Skënderbeut, por përtej kësaj aeroportet janë fabrika e bukës”, tha Rama.

Më tej ai theksoi se vlonjatët, shqiptarët do të ndjehen krenarë, ndërsa të huajt u shpreh ai do të mrekullohen.