Nga Mero Baze

Nëse doni të shikoni se kush është presidenti i Republikës, shikoni axhendën e tij ditore dhe temat e debateve që duhet të përballojë.

Dje në mesditë ishte i angazhuar të mbronte vrasësin e një mjeku në Elbasan, një njeriu të paarmatosur, të pambrojtur dhe të parrezikshëm, që ishte në punë të vet në një veturë, që siç provohet, nuk ka asgjë të kundraligjshme brenda.

Një ish- komando nga Tropoja, i rekrutuar nga shtabi i PD-së, qëllon pesë plumba mbi të, pasi forcat paramilitare të PD-së kanë vendosur ta vrasin.

Presidenti, i cili vdes të shpikë ngjarje të rënda në fushatë, jo vetëm që merr anën e vrasësit, por nuk denjon as ta ngushëllojë viktimën, që e ka pasur kryetar të LSI në Elbasan.

Arsyeja ëhstë se e ka tradhtuar dhe ai ndjehet i gëzuar që ndëshkohet një tradhtar me vdekje.

Pastaj në darkë presidenti angazhohet të “shpëtojë” dikë nga Skrapari, se e paskan kërcënuar. Nuk ka ndonjë fakt për këtë, por i ka mjaftuar një telefonatë nga Skrapari, kurse gjaku i derdhur në mes të Bulevaradit në Elbasan e ka gëzuar.

Sot në mëngjes në Vlorë ka marrë Ramazanin, një pronar klubi në Gji të Lalzit, dhe po sqaron para gjithë shqiptarëve se Ilir Meta nuk ka dashur t’i marrë tokën e klubit për vete, dhe se këto janë thashetheme.

Ramazani është bindur dhe ka vendosur të dëshmojë që Ilir Meta nuk është takuar me subjekte të OFL-së në klubin e tij. A thua se Ramazani i shkretë ka listën e OFL-së në menu të klubit dhe i njeh.

Pas kësaj, ka vazhduar sulmet ndaj Alqi Bllakos, ish- shefit të Kabinetit të tij në Presidencë, që tani i është bashkuar PS-së në Tiranë.

Atë e akuzon për tendera dhe premton se do ta çojë në SPAK. Arsyeja është njësoj si ajo e Xhuvanit në Elbasan, se ka tradhtuar Ilir Metën.

Pastaj sulmi i tij vazhdon me Lefter Kokën me njeriun që i ka mbajtur LSI në Durrës dhe tani e shpall armik pse e ka braktisur.

Pas konferencës pastaj merr në telefon numrin 2 të Vlorës dhe i premton se pavarësisht se çfarë thotë Monika, Luan Rama nuk do jetë deputet, por do jetë ajo.

Në mesditë pastaj i turret ambasadores ameriakne dhe atij të BE, duke u treguar se në pushtet vihet me gjak, duke e ilustruar me një deklratë në emër të popullit të Dibrës. Arsyeja është se ata e kanë quajtur histori të së shkuarës, organizimin paramilitare të opozitës për të dhunuar qytetarët dhe të penguar zgjedhjet e lira.

Pra gjithë axhenda ditore e presdentit, janë gjithë hallet e tij psiqike dhe ordinere, ose vrasje, ose rrahje, ose tendera, ose zaptim toke të Ramazanit, ose takim me kapuç me subjekte të OFL-së, ose luftë e tradhëtarët e tij, dhe interesi i shtuar me numrin 2 të listës në Vlorë.

Ky është presidenti ynë. Hallet e tij dhe hallet e Shqipërisë nuk kanë asnjë lidhje me njëra tjetrën. Ai është blerësi më i madh i votave, dhunuesi më i madh i fushatës elektorale, paranojaku më i madh kundër përfaqësuesve të Perëndimit në Shqipëri, shkatërruesi më i madh i imazhit të opozitës dhe njeriu që do të jetë shkaku kryesor pse opozita nuk do marrë votën e shqiptarëve. Asaj i ka mbetur në derë, se nuk ka fuqi ta zboj dhe kjo tregon shumë për të ardhmen e saj dhe pafuqinë e saj.