Nga Mujtaba Rahman, Politico.eu

“Samiti i Tokës” i presidentit amerikan Joe Biden, shënon një moment të rëndësishëm në kalendarin e politikave mjedisore globale. Diskutimi virtual midis 40 udhëheqësve botërorë, do t’u japë një shans të madh emetuesve kryesorë të gazit serrë si Shtetet e Bashkuara dhe Kina, për të shfaqur përpjekjet e tyre diplomatike në prag të samitit të rëndësishëm dhe vonuar mbi ndryshimet klimatike, që do të mbahet në Gllasgou të Skocisë në nëntor të këtij viti.

E megjithatë, ekziston një çështje, të cilën udhëheqësit nuk do ta diskutojnë, por që mund të jetë po aq e rëndësishme për përpjekjen për të frenuar emetimet globale të gazrave serrë. Një ndryshim i rëndësishëm, është duke u zhvilluar brenda Bashkimit Evropian, që është pa dyshim zëri kryesor në botë për çështjet e klimës.

Mjerisht, nuk ka gjasa që ai të jetë një ndryshim që paralajmëron gjëra pozitive, në raport me veprimin global që kërkohet në këtë fushë. Në qershor, Komisioni Evropian do të publikojë propozimin e tij të shumëpritur, mbi atë që përshkruhet si një “mekanizëm i rregullimit të kufirit maksimal të emetimit të karbonit në atmosferë”.

Nuk është rënë ende dakord mbi formën e tij përfundimtare, por gjithsesi e sigurt është që ky mekanizëm do të marrë ose formën e një takse, të cilën eksportuesit jashtë BE-së do të jenë të detyruar ta paguajnë, në rast se produktet e tyre nuk përmbushin disa kritere të qëndrueshmërisë, ose në të kundërt, do të lidhen emetimet me sistemin e brendshëm tregtar të unionit.

Strategjia e fundit, do t’i detyrojë potencialisht prodhuesit vendas të blejnë leje për ndotjen, nëse dëshirojnë që të importojnë mallra në BE-së, që kanë një përmbajtje të madhe të karbonit. Të gjitha qeveritë në Evropë, janë në shkallë të ndryshme në favor të zhvillimit të një mekanizmi kufizues të karbonit.

Por risi në këtë rast, janë dallimet e dukshme dhe në rritje rreth mënyrës se si duhet të vendoset, sidomos midis Francës dhe Gjermanisë. Mosmarrëveshja ka të bëjë më pak me formën e mekanizmit, sesa me mënyrën dhe kushtet në të cilat duhet të përdoret ajo.

Gjermania nuk është më e etur për zbatimin e një mekanizmi të tillë në mënyrë të njëanshme. Në vend të kësaj, ajo dëshiron që të ruhet si një “opsion bërthamor“, duke u përpjekur t’i detyrojë emetuesit e tjerë të mëdhenj të miratojnë objektiva më ambiciozë dhe detyrues

për veten e tyre, në funksion të ngadalësimit të ndryshimeve klimatike.

Bordi këshillimor në Ministrinë Federale gjermane për Çështjet Ekonomike dhe Energjisë, BMWi, ka paralajmëruar se vendosja e njëanshme e një mekanizmi të tillë ndaj importeve, nuk do të jetë aq efektive sa krijimi i një klubi vendesh me emetuesit më të mëdhenj në botë siç janë Kina dhe SHBA.

Këshilltarët BMWi, që ushtrojnë një ndikim të madh mbi këtë ministri, dhe do të jenë thelbësorë në përcaktimin e pozicionit të Gjermanisë në nivel evropian, argumentojnë se përpjekjet diplomatike për të vendosur qëllime të përbashkëta të reduktimit të emetimeve, duhet të kenë përparësi mbi masat ndëshkimore.

Natyrisht zgjedhjet e afërta parlamentare në Gjermani, do të diktojnë shumë politikat e gjelbra të qeverisë gjermane për një të ardhme të parashikueshme, sidomos duke pasur parasysh faktin që Partia e Gjelbër ka një trend rritës, dhe ka shumë të ngjarë të hyjë – nëse nuk e udhëheq – në qeverinë e koalicionit që do të dalë pas zgjedhjeve të shtatorit.

Megjithatë, kur bëhet fjalë për një kufizim të emetimeve në atmosferë të gazit karbonit, të Gjelbrit kanë treguar tashmë se do të preferonin të zhvillonin një mekanizëm të dakordësuar me SHBA-në, si pjesë e një marrëdhënieje të rinovuar transatlantike.

Në këndin e kundërt në BE, gjendet e pozicionuar Franca, një nga 9 vendet anëtare që i kanë bërë thirrje Komisionit Evropian të mos devijojë nga rruga e tij, por të bëjë publike në kohë propozimin e tij, dhe ta zbatojë atë në mënyrë të njëanshme, edhe nëse nuk bien dakord me të emetuesit e tjerë të.

Francezët janë të vendosur të kenë një ndikim thelbësor në këtë debat, pasi Parisi do të marrë drejtimin e presidencës së radhës së BE-së në janarin e vitit 2022. Ka shumë të ngjarë që negociatat mbi mekanizmin në fjalë, të përfundojnë pikërisht gjatë presidencës 6-mujore të Francës, apo që Parisi të drejtojë bisedimet, kur në tryezë të diskutohen disa nga aspektet më delikate të këtij propozimi.

E megjithatë, në kushtet kur Gjermania e ka zbutur pozicionin e saj, Parisi nuk ka gjasa të imponojë qasjen e vet. Ndërkohë zyrtarë të lartë të BE-së, argumentojnë se kërcënimi me vendosjen e një taksë kufitare, ka që tani një efekt në politikat globale.

Japonia, një tjetër emetuese e madhe e gazit karbonik, ka filluar konsultimet për ngritjen e mekanizmit të vet, duke e pranuar se lëvizja është diktuar nga udhëheqja e BE-së mbi këtë çështje. Edhe Rusia, i ka këshilluar kompanitë e mëdha shumëkombëshe të bëhen gati për taksa shtesë të importit.

Por problemi me përdorimin e një arme të tillë si një lloj kërcënimi, është se të tjerët mund të shohin se çfarë luhet përmes bllofit që po luani vetë. Tani për tani, Bashkimi Evropian ka vëmendjen e Pekinit. Presidenti kinez Xi Jinping u tërhoq kohët e fundit nga qasja e tij e ashpër kundër planeve të Brukselit për një kufi të qartë mbi emetimet, edhe pse i kërkoi

BE-së të mos i përdorë politikat klimatike si “një justifikim për gjeopolitikën”.

Klima është një nga zonat e pakta, ku BE-ja shfaqet në lartësinë e peshës diplomatike që ka. Vendimi për të shkuar drejt emetimeve zero deri në vitin 2050, shihet me të drejtë si një lëvizje shumë e guximshme. Niveli tjetër, bindja apo edhe detyrimi i emetuesve që të mbajnë premtimet e tyre në këtë aspekt, duhet të mbështetet mbi gatishmërinë për të vepruar, dhe jo vetëm për të folur.