Kreu i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve Ilirjan Celibashi, një ditë para heshtjes zgjedhore ka risjellë sërish në vëmendje informacione që kanë të bëjnë me mënyrën e plotësimit të fletës së votimit.

Celibashi shpjegon mënyrat se si mund të votojnë qytetarët në mënyrë që vota të mos konsiderohet e pavlefshme.

“Në çdo qendër votimi, do të votohet vetëm me një fletë votimi, ku janë emrat e partive dhe koalicioneve, si dhe numrat, që iu korrespondojnë kandidatëve. Në disa qarqe, konkurrojnë dhe kandidatë të pavarur.

Me qëllim që vota të jetë e vlefshme, qytetari duhet të votojë me një nga tre mënyrat e bëra publike, votuesi mund të zgjedhë vetëm partinë ose koalicionin me shenjën e X ose + në kuadratin e bardhë; mund të zgjedh partinë ose koalicionin dhe vetëm njërin prej kandidatëve të asaj partie, që ai ka zgjedhur, me shenjën X ose + te kuadrati i numrit të kandidatit; votuesi mund të votojë vetëm për një kandidat, pra të bëjë shënimin vetëm në një prej numrave, që i korrespondon kandidatit që ai parapëlqen, me shenjën X ose + në kuadratin e numrit, pa qenë nevoja të vendosë shenjë te kuadrati i partisë apo koalicionin, që ky kandidat i përket.

Theksoj që në rastin e fundit, vota për kandidatin shkon si votë edhe për partinë politike apo koalicionin. Çdo mënyrë tjetër e votimit ka probabilitet të lartë që të konsiderohet e pavlefshme.

Votuesit do të gjejnë informacion të plotë në hyrje të qendrës së votimit, në lidhje me kandidatët dhe numrat e tyre. Ata, që do të kenë dilema, për shkak të memories për numrin, mund ta marrë informacionin mbi atë se kujt kandidati i përket X numër jashtë qendrës së votimit, por edhe pranë zonës së fshehtësisë, do jenë vendosur emrat dhe numrat e kandidatëve”, sqaroi Celibashi.