Kanë mbërritur në gjykatë 11 të arrestuarit për vrasjen e Pjerin Xhuvanit, pas përplasjeve në Elbasan.

Kujtojmë se pas vrasjes së Xhuvanit u arrestuan: Arbër Paplekaj, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese kundër dy ose më shumë personave dhe në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave”, “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit, e mbetur në tentativë”, “Heqja e paligjshme e lirisë e kryer me dhunë” në bashkëpunim;

Arjan Hoxha, Pavlo Vuksani, Emiljan Prenga, Juljan Mataj, Erald Guga, Erjon Demushi, Taulant Ymeri, Roland Xhepa, Nuredin Kasma, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Heqja e paligjshme e lirisë së personit e kryer me dhunë”në bashkëpunim. Si dhe u arrestua në flagrancë shtetasi Eldjo Beko, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”.

Ndërkohë mësohet se është shpallur në kërkim shtetasi Klement Xhaferri, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, mbetur në tentativë” dhe vijon puna intensive për kapjen e tij.

Kujtojmë se ngjarja ndodhi në lagjen “5 Maj” në Elbasan. Nga shkëmbimi i zjarrit mbeti i vrarë aktivisti i PS-së për Elbasanin, Pjerin Xhuvani. Gjithashtu në këtë përplasje mbeti i plagosur efektivja e policisë Xhensila Sota dhe tre persona të tjerë.

Përplasja me armë ndodhi për shkak të zgjedhjeve, pasi dyshimeve se një makinë e shtabit të PS-së ishte kapur nga mbështetësit e PD-së duke shpërndarë para në këmbim të votave.