Kreu i KQZ Ilirjan Celibashi deklaroi se në rast se do të ketë pretendime nga ana e kandidatëve apo subjekteve politike për hapjen e kutive, kjo do të jetë e mundur.

Ai shpjegoi se mund të merret vendimi për hapjen e kutive në 10% të qendrave të votimit, dhe në rast se partitë do të ketë pretendime të tjera, ankimimi mund të bëhet në rrugë administrative.

“Ky proces është i siguruar dhe i garantuar nga çdo pikëpamje dhe asnjë prej kandidatëve nuk duhet të ketë frikë pasi vota e secilit prej tyre do të numërohet dhe do të vlerësohet.

Të gjitha subjektet mund të adresojnë ankimimet e tyre. Kodi Zgjedhor ka përcaktuar që mund të hapen kutive të votimit deri në 10% të qendrave të votimit. Nëse do të jetë rrjedhojë e një procesi ankimor dhe një vendimmarrje që vjen nga procesi administrativ në fakte dhe prova. Pa pasur asnjë lloj prove mund të hapen deri në 10% të qendrave të votimit. Ne nuk mund të themi se kjo kuti është e mbyllur dhe nuk do të ketë numërim.

Brenda javës ne do të kemi edhe kandidatët fitues. Në pjesën e parë, mendoj që objektivin e kemi arritur. Shpresoj që brenda ditës së sotme ta kemi rezultatin edhe në qendrat ku po vazhdon.

Nuk mund të fillojë numërimi për kandidatët pa mbyllur atë për koalicionet. Duhet parë se çfarë peshe ka në tërësinë e votimit. Në radhë të parë i takon anëtarëve të Komisionit dhe më pas nëse nuk do ketë vendimmarrje atje kalon në hallkë më të lartë. Ne kemi pamje filmike për 92 vendet e numërimit të votave. Ato pamje do ndihmojnë prokurorinë për të hetuar mbi fenonement që janë në kundërshtim me ligjin”, deklaroi Celibashi.