Shefi i ri ekzekutiv i Pfizer Albert Bourla tha të martën se një trajtim oral Covid-19 që kompania po zhvillon, pritet të jetë i disponueshëm për t’u përdorur deri në fund të vitit në vazhdim.

Z. Bourla, në një intervistë për CNBC, tha se antivirali eksperimental mund të jetë i disponueshëm pasi po provohet se funksionon në mënyrë të sigurt në testimin njerëzor dhe do të nisë të shpërndahet nëse merr miratimin nga rregullatorët.

Në mars, Pfizer filloi zyrtarisht provat duke testuar ilaçin oral Covid-19 në formë pilule tek njerëzit. Ilaçi është gjithashtu nën vlerësim edhe në variantin tjetër, si një trajtim intravenoz, në një provë të veçantë që Pfizer ka filluar vjeshtën e kaluar.

Një pilulë orale do të plotësonte një rol kryesor të trajtimit duke ndihmuar njerëzit që janë të sëmurë, por ende nuk janë shtruar në spital. 

Më shumë se një vit nga pandemia, ekziston një numër i kufizuar trajtimesh në dispozicion për njerëzit e diagnostikuar me Covid-19. I vetmi antiviral i autorizuar nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave është remdesivir nga Gilead Sciences Inc., dhe është treguar se ofron vetëm një përfitim modest në pacientët e shtruar në spital, duke ulur qëndrimin e tyre me disa ditë.

Pilula e Pfizer njihet si një frenues i proteazës. Studiuesit besojnë se bllokon një enzimë kryesore, të njohur si proteaza, që ndihmon viruset të replikohen. Të dy versionet e ilaçit, pilula dhe intravenozja, bazohen në një zbulim të bërë në vitin 2004 kur Pfizer kërkoi të zbulojë antiviralë gjatë epidemisë së SARS. Enzimat e virusit SARS-CoV-2 që shkakton Covid-19 janë të ngjashme me virusin tjetër SARS, sipas Pfizer.