Në mbledhjen e sotme të qeverisë, e cila ishte e para pasi Edi Rama fitoi mandatin e tretë janë miratuar disa vendime të rëndësishme.

Përpos ndryshimeve në qeveri në nivel zv/ ministrash, Këshilli i Ministrave vendosi që të shtynte afatin për dorëzimin e deklaratës vjetore individuale të të ardhurave për vitin 2020.

Kështu të gjithë qytetarët me të ardhura mbi dy milionë lekë dhe të dypunësuarit, pavarësisht nga niveli i pagave kanë edhe 2 muaj kohë që të dorëzojnë Deklaratën Individuale Vjetore të të Ardhurave dhe pagesën shtesë nëse kanë.

Afati ishte deri në 30 Prill, ndërsa sot u shty deri më 30 qershor. Gjithashtu në vendim theksohet se nëse deklarata dorëzohet brenda 30 qershorit falen gjobat.

VENDIMI I PLOTE

NJË SHTESË NË LIGJIN NR.8438, DATË 28.12.1998, “PËR TATIMIN MBI TË ARDHURAT”, TË NDRYSHUAR

Në mbështetje të nenit 101 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

Neni 1

Në nenin 38, “Dispozita kalimtare”, të ligjit nr.8438, datë 28.12.1998, “Për tatimin mbi të ardhurat”, të ndryshuar, pas pikës 13 shtohet pika 14, me këtë përmbajtje:

“14. Përjashtimisht nga parashikimet e neneve 13 dhe 13/6, të këtij ligji, dorëzimi i deklaratës vjetore individuale të të ardhurave të vitit 2020 në administratën tatimore dhe pagesa e detyrimit, nëse rezulton, bëhet jo më vonë se data 30 qershor 2021. Sanksionet administrative që mund të aplikohen në bazë të nenit 13/9 falen, me kusht që dorëzimi i deklaratës dhe pagesa e detyrimit të kryhen deri në datën 30 qershor 2021.”.

Neni 2

Ky akt normativ hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.