Nga  Paul Rosenzweig, The Atlantic

Mëngjesin e të mërkurës një bord mbikëqyrës i krijuar nga Facebook, miratoi vendimin e janarit 2021 të kësaj kompanie për të pezulluar për një kohë të pacaktuar Donald Trump nga platforma e saj, dhe i dha kompanisë 6 muaj kohë për të sqaruar kohëzgjatjen e pezullimit. Vendimi i këtij bordi, përbën një dredhi procedurale. Kompania ka vetëm një rrugë të arsyeshme që duhet të ndjekë:Të ndalojë përgjithmonë ish-presidentin nga platforma e saj.

Dhe arsyet për këtë janë të drejtpërdrejta. Në shumë aspekte, çështja e sanksioneve ndaj Trump, nuk ndryshon nga teoria se si një shoqëri e ndëshkon çdo lloj sjelljeje të keqe. Të kuptuarit se si zgjidhet një dënim në përgjithësi,mund të ndihmojë në përgjigjen ndaj pyetjes se cili është rezultati “i duhur” në rastin e Trump.

Koncepti i parë që duhet trajtuar është ai i “parandalimit të përgjithshëm”. Çështja këtu është se si të vendoset një ndëshkim në një nivel të tillë, që t’i bindë të tjerët të mos kryejnë veprime të ngjashme.

Duke qenë se jo të gjithë aktorët e këqij janë ndëshkuars, teoria e parandalimit është se dënimi i dhënë duhet të jetë mjaftueshëm domethënës për t’i frenuar të tjerët nga sjellje të ngjashme. E thënë thjesht, si do të ndikojnë sanksionet ndaj Trump tek liderët e tjerë politikë që kanë profilet e tyre në Facebook?

A do t’i trimërojë ata ky vendim, apo do t’i nxisë të tërhiqen dhe reflektojnë? Dhënia e lejes së Trump për t’u rikthyer në këtë platformë, do t’u tregonte udhëheqësve të ardhshëm, se gënjeshtrat seriale, janë relativisht të padëmshme. Prandaj për të përçuar mesazhin e duhur, ndalimi i Trump nga Facebook, duhet të jetë i përhershëm.

Pastaj është çështja e “parandalimit specifik”, ose ”e paaftësimit”. Duke dalluar nga parandalimi i përgjithshëm, në këtë rast diskutohet nëse mbajtësi i një llogarie në këtë platformë duhet të ketë aftësi të kufizuara për të kryer veprime të ndaluara në të ardhmen.

Kështu për shembull, një grabitës serial nuk mund të plaçkitë gjatë kohës që është brenda në burg. Ndaj ne që e njohim Trump dhe natyrën e tij, dhe pyesim nëse ai ka të ngjarë të jetë një shkelës i përsëritur. Përgjigja duket të jetë më se e qartë.

Nëse Facebook e rikthen Trump në platformën e vet, ai do të gënjejë prapë, dhe kur ta bëjë këtë, Facebook do të duhet ta dëbojë sërish nga platforma, të paktën për aq kohë sa ta mos lejojë që ai të dëmtojë zgjedhjet e ardhshme presidenciale.

Së fundmi ekziston edhe faktori i shtrëngimit. Deri në çfarë mase aktori e ka pranuar natyrën e veprimeve të tij të mëparshme, dhe ka shfaqur pendim apo rregullim të sjelljes së tij? Sa më i madh shtrëngimi, aq më pak i ashpër është ndëshkimi.

Në të kundërt, në mungesë të një njohje të qartë të fajësisë dhe dëmit, është e arsyeshme të besohet se aktori do ta përsërisë aktivitetin, edhe duke marrë parasysh rrezikun e ndëshkimeve shtesë. Dhe kjo i bën më bindëse sanksionet e rënda. A mundet që dikush që i analizon këta faktorë, të dyshojë seriozisht se cili duhet të jetë rezultati?

Mjafton të merrni parasysh dëmin që ka shkaktuar Trump me megafonin e tij. Katër muaj më parë, një turmë e dhunshme sulmoi Capitol Hill në Uashington, në një përpjekje për të përmbysur zgjedhjet presidenciale. Ajo kryengritje u nxit nga një gënjeshtër – gënjeshtra se zgjedhjet ishin “vjedhur” dhe se fituesi i vërtetë ishte Trump.

Dhe ajo gënjeshtër nuk është zbehur, përkundrazi ka përhapur metastazat e saj, dhe është bërë një bindje e fortë në mesin e disa votuesve amerikanë. Gjithashtu kjo teori e pabazë, është bërë një test lakmusi i besnikërisë partiake. Aq sa askush nuk mundet të vazhdojë të mbajë një pozicion drejtues në Partinë Republikane, nëse nuk është i gatshëm të harrojë trazirat e 6 Janarit 2021, dhe të përqafojë publikisht si të vërtetë atë që është qartazi e rreme.

Ajo gënjeshtër u përhap nga shumë njerëz, por ithtari kryesor i saj ishte vetë Donald Trump. Ai përdori Facebook, dhe çdo lloj media tjetër sociale për të përhapur atë. Dhe ishin këto  postime, ato që nxitën sulmin në zemër të demokracinë amerikane.

Trump nuk ka treguar në asnjë moment ndonjë sinjal se është penduar për këto sjellje. Në fakt, dikush mund të argumentojë madje se Facebook veproi shumë vonë, dhe me një forcë të pamjaftueshme. Duke mos e ndaluar Trumpin më herët, Facebook mundësoi dhe inkurajoi gjithnjë e më shumë postime të pacipa nga Trump dhe folës të tjerë të profilit të lartë, pikërisht pasi nuk kishte sanksione nga kjo platformë.

Duke pasur parasysh këtë, a e mendon dikush realisht se nëse lejohet të rikthehet në platformën Facebook, Trump nuk do t’i kthehet sërish sjelljeve të tij mashtruese? Vite më parë, duke trajtuar një rast të fjalës së lirë, gjykatësi Robert Jackson i dha zë një ideje paralajmëruese:“Zgjedhja nuk është midis rendit dhe lirisë. Por midis lirisë me rregulla dhe anarkisë pa asnjërën prej tyre. Ekziston rreziku që nëse gjykata nuk e zbut logjikën e saj doktrinare me pak mençuri praktike, ajo do ta shndërrojë Aktin kushtetues të të Drejtave në një pakt vetëvrasjeje”.

Platformat e mediave sociale, nuk mund ta lejojnë të shndërrohen në truallin ku të mbijnë farat e vetë-shkatërrimit të tyre, por edhe të shoqërisë që i mundësoi ato. Duke shmangur një vendim përfundimtar dhe duke ia hedhur sërish barrën e veprimit Facebook, bordi mbikëqyrës vetëm sa shtyu një vendim të pashmangshëm mbi rastin në fjalë.

Shënim: Paul Rosenzweig është drejtuesi kryesor i “Red Branch Consulting”. Njëzet vjet më parë, ai shërbeu si këshilltar i lartë në hetimin për fajësimin e presidentit Bill Clinton.