Një kopje e anijes më të famshme në botë -Titanik- është duke u ndërtuar aktualisht në provincën kineze të Sichuan brenda një parku zbavitës, shkruan Kosovarja.

Projekti jo vetëm që gllabëron një shumë të madhe parash, por edhe mijëra e mijëra tonë çelik.

Në prill të vitit 1912, anija e pasagjerëve RMS Titanik përplasi një ajsberg dhe u mbyt në det.

Mbetjet qëndruan në fund të oqeanit në një thellësi prej gati 4,000 metrash për më shumë se njëqind vjet ndërsa magjepsja për anijen mbetet ende e madhe.

Një kopje masive e anijes detare të mbytur aktualisht është duke u ndërtuar në provincën kineze të Sichuan, në jug-perëndim të vendit.

Puna e parë filloi në 2016-fotografitë aktuale nga kantieri i ndërtimit tregojnë se sa larg është mega projekti.

“Sipas agjencisë së lajmeve “AFP”, rreth 23,000 tonë çelik do të kërkohen për ndërtimin e saj ndërsa kopja do të jetë saktësisht e njëjtë me madhësinë origjinale: 269,06 metra e gjatë dhe 28,19 metra e gjerë”, sqaron Kosovarja.

Projekti gjithashtu pritet të kushtojë rreth një miliard juan, ekuivalenti i pothuajse 127 milionë euro.

Do të jetë pjesa qendrore e një parku tematik të quajtur Romandisea.

Sapo anija të jetë gati, të ftuarit do të jenë në gjendje të kalojnë natën në të. Anija duhet të ofrojë të njëjtat pajisje luksoze si modeli i saj- duke përfshirë sallat e banketeve, teatrot, platformat e shikimit dhe një pishinë.

Megjithatë ende nuk ka një datë se kur do të jetë gati ndërsa puna për ndërtimin e saj vazhdon me një ritëm të lartë.