Me nisjen e sezonit turistik, në fillim të muajit qershor pritet që të ketë një heqje të kufizimeve që aktualisht janë në fuqi në Shqipëri për të parandaluar përhapjen e koronavirusit. Por cfarë mendojnë mjekët?

Mjeku Ilir Alimehmeti u shpreh optimist se Shqipëria do ta suportojë situatën. “Virusi është në qarkullim. Bota po bën eksperimente, por organizon aktivitete, ne po jetojmë një eksperiment natyror, po të dilni rrugëve të Tiranës, shihni që kanë rënë shumë nga ato masat që ishin shumë të pranishme në janar, shkurt. Ne jemi të qëndrueshëm dhe stabël dhe nuk po na rriten rastet.

Ne patëm zgjedhje, muajin e festave fetare dhe këto nuk u përkthyen në asgjë. Por kujdes ama, mos harrojmë. Edhe fushata u bë në ambiente të hapura dhe numrat ishin shumë të vegjël. Grumbullimi ishte shumë më i vogël. Nuk u përkthye në rritje rastesh. Kjo më bën më optimist për ta suportuar” tha ai.

Nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mjeku virolog Alban Domi kishte disa këshilla për autoritetet shqiptare. “Shqipëria nuk do ta ketë nga qytetarët, por të ardhurit gjatë turizmit, pasi nuk ka asnjë rregull të veçantë për hyrjet në Shqipëri. Kam qenë dhe jam për hapjen, por elementët që kanë mundur gjatë një viti në Shqipëri të bëhen në zonat turistike të ketë në pikat lokale dhe ku njerëzit të hyjnë pa kërkesë dhe letër nga mjeku, shqiptar ose të huaj që vijnë për pushime.

Shqipëria e ka kaluar, nuk është në nivel emergjence, për këtë arsye, mendimi im, janë blerë cfarë janë blerë doza të Coronavax, të mos blihej më dhe investimet të bëheshin për Pfizer ose Moderna. Në Shqipëri ka një luks, që Europa Perëndimor do ta arrijë pas 2-3 muajsh, që imuniteti kolektiv, jo vetëm të jep mbrojtje më të mirë, por edhe kohëzgjatje më të mirë se vaksinat” tha ai.

Silva Bino, shefja e Departamentit të Epidemiologjisë pranë ISHP-së tha se këtë vit Shqipëria ka fituar eksperiencë dhe ka një përgatitje jashtëzakonisht më të madhe për sezonin turistik. “Në lidhje me testimin në zonat turistike ka qendra, sivjet kemi një përgatitje jashtëzakonisht më të madhe, kemi fituar eksperiencë, kemi më tepër kapacitete, jemi më të stërvitur në të gjithë gjërat. Në zonat turistike i është mëshuar rritjes së testimit” tha ajo.