Theodore Theodoridis, sekretari i përgjithshëm i UEFA-s, foli për Marca në lidhje me çështjen Superligës Europiane dhe përjashtimin e mundshëm të Juventusit, Real Madridit dhe Barcelonës nga Champions League. Këto tre klube nuk kanë hequr ende dorë nga projekti dhe nuk kanë pranuar rregullat e UEFA-s.

Prej kohësh në medie flitet se tre klubet mund të përjashtohet nga Champions League, ndërsa tashmë Theodoridis paralajmëron në njëfarë mënyre përjashtimin e tre klubeve. UEFA prej javësh ka njoftuar nisjen e një hetimi për tre klubet, nëse e kanë thyer rregulloren e UEFA-s apo jo me përfshirjen në këtë projekt.

“A mund të përjashtohen nga Champions League? Është një mundësi. Nëse këto klube nuk i respektojnë rregullat, mund të përjashtohen. Varet prej tyre. Është e drejtë të theksohet se shumica e klubeve kanë pranuar rregullat tona. Do të doja të sqaroja se ka pasur interpretim të gabuar të fakteve.

Vendimi nuk do të jetë personal dhe nuk do ketë lidhje me presidentin e UEFA ose Komitetin Ekzekutiv. Në UEFA pushteti ekzekutiv është tërësisht i ndarë me atë juridik. As unë dhe as presidenti nuk mund të ndikojmë në punën e organeve ligjore. Organet e pavarura juridike marrin vendime të pavarura.

Të tre klubet në fjalë janë ndër më të mirët në botë: pse duhet të shpresoj për përjashtimin e tyre? Thënë kjo, për UEFA, të gjitha klubet janë të barabarta dhe ne mbështesim vlera të tilla si respekti, meritat sportive dhe trajtimi i barabartë. Nëse ata kanë thyer ligjet, ata duhet të përballen me pasojat. Nëse ata nuk pajtohen me vendimet e organeve disiplinore, ata kanë të drejtë të apelojnë në CAS.

Mundësia e dëbimit të lojtarëve të këtyre klubeve nga Kampionati Evropian? Asnjë lojtar nuk do të paguajë çmimin e lakmisë së Superligës. Të gjithë do të jenë në gjendje të përfaqësojnë vendin e tyre në Kampionatin Evropian. për momentin UEFA nuk ka pasur asnjë kontakt me Juventusin, Barcelonën dhe Real Madrid në lidhje me Superligën”, u shpreh Theodoridis.