Në qendër të Durrësit po zhvillohet tregti gjaku pais njerëz kriminelë mbushin makinat me mina të telekomanduar dhe i shesin ato deri 3 mijë euro copa.

Për fat të mirë një grup i tillë kriminal, deri diku është shkatërruar orët e fundit nga policia lokale, por frika është e madhe se fije të tjera të këtij trafiku, përfshirë grupe të tjera, po gëlojnë në këtë aktivitet të rëndë.

Aksioni erdhi në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative se disa persona me tendencë kriminale në fushën e prodhimit dhe shitjes së minave me telekomande po tentonin të shisnin disa mina me telekomandë.

Në kuadër të këtij operacioni, në vendin e quajtur “Muzeu”, në lagjen nr. 9 në Durrës, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve Ilir Aliu, 47 vjeç, Bledar Çakaëli 31 vjeç dhe Edmond Bardhi, 37 vjeç, të tre lindur në Dibër dhe banues në Sukth, Durrës.

Këta persona u kapën duke udhëtuar me një automjet tip “Volvo” me drejtues shtetasin I. A. dhe pasagjerë shtetasit B. Ç. dhe E. B.

Gjatë kontrollit të ushtruar në mjet nga shërbimet e Policisë u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale tri mina të montuara dhe të lidhura me telefon.

Nga hetimet paraprake rezultoi se këta trafikantë do të shisnin disa mina me telekomandë në qytetin e Durrësit, kundrejt shumës 2500-3000 euro copa.

Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.