Një inspector i parandalimit në Shërbimin e Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin, në Bashkinë Fier është vënë në pranga nga SHÇBA dhe SPAK.

Ai është 53-vjeçari me inicialet K. R, i cili nga hetimet rezultoi se ishte përfshirë në korrupison.

53-vjeçari dyshohet se ka keqpërdorur atributet ligjore përmes ushtrimit të presionit për vendosje gjobash dhe masa të rënda administrative ndaj subjekteve, duke kërkuar dhe marrë shuma monetare për të mos i aplikuar këto masa.

Nga veprimet proceduriale të kryera, u sekuestruan provat materiale:

–  32,000 lekë, e dyshuar si produkt i ndërveprimeve korruptive;

–  Armë e ftohtë, thikë dhe dorezë të inkorporuara me njëra tjetrën, e cila dyshohet se futet në kategorinë e armëve të ftohta pa leje;

–  Shkop druri artizanal në formën e shkopit të bejzbollit, që përdoret për veprime të dhunshme.

I ndaluari i mbante sendet e mësipërme me vete gjatë ushtrimit të detyrës. Materialet proceduriale të përpiluara, i dërgohen për vijimin e hetimeve Prokurorisë SPAK.