Nga Patrick Tyrrell &Alexander Jelloian, The Daily Signal

Sanksionet që vendosën kohët e fundit Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndaj ish-kryeministrit të Shqipërisë për shkak të korrupsionit, përfaqësojnë vetëm ngjarjen e fundit në një varg ngjarjesh që nxjerrin në pah mungesën e integritetit të qeverive në rajonin e Ballkanit.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken,deklaroi se Sali Berisha, kryeministër i Shqipërisë gjatë viteve 2005-2013, ishte i“përfshirë në akte korruptive”. Blinken foli specifikisht për“keqpërdorimin e fondeve publike dhe ndërhyrjen në proceset publike, duke përfshirë përdorimin e pushtetit të tij për përfitime vetjake, dhe për të pasuruar aleatët e tij politikë si dhe anëtarët e familjes”.

Sanksionet që njoftoi zoti Blinken më 19 maj, e bëjnë Sali Berishën zyrtarin e katërt të lartë shqiptar të cilit i ndalohet hyrja në Shtetet e Bashkuara, pikërisht për shkak të akuzave për korrupsion. I gjithë rajoni i Ballkanit, me përjashtim të Sllovenisë, është i dominuar nga korrupsioni. Ja cilat janë disa nga shembujt:

– Partia qeverisëse e Bullgarisë, u rrëzua nga pushteti muajin e kaluar pas një viti protestash të mëdha qytetare kundër korrupsionit qeveritar. Ish-kryeministri Bojko Borissov, që shërbeu mandatin e tij të tretë në vitet 2017-2021, është akuzuar prej kohësh për lidhje me krimin e organizuar.

-Në vitin 2019, kreu i Partisë Social Demokrate në Rumani, Liviu Dragnea, u burgos pasi u shpall fajtor për përdorimin e një agjencie shtetërore për të paguar anëtarët e partisë së tij për punë që nuk ishin kryer.

Që nga ajo kohë, Dragnea është përballur me akuza të tjera korrupsioni, përfshirë akuzat se ka krijuar një grup kriminal për të vjedhur para nga projektet qeveritare. Deri në momentin e arrestimit,Dragnea ishte konsideruar si një nga aktorët më të fuqishëm në politikën rumune.

– Në vitin 2014, Mali i Zi pranoi një hua prej 1 miliardë dollarësh nga qeveria kineze, për ndërtimin e një autostrade transnacionale, që synonte të lidhte pjesët jugore me ato veriore të vendit të vogël ballkanik. Por pas 7 vitesh, është ndërtuar më pak se 25 për qind, dhe Podgoricës i kanë mbaruar fondet për ta financuar projektin. Në vend kanë nisur protestat, ndërsa shumë njerëz besojnë se mungesa e transparencës së qeverisë, flet për një korrupsion të shumë-përhapur edhe me projektin në fjalë.

Praktikat e pandershme të qeverive në rajon, e pengojnë aftësinë e Ballkanit për të përparuar ekonomikisht. Rajoni i Ballkanit në Evropën Juglindore përbëhet nga 10 vende, nga të cilat më të spikaturat janë Serbia, Rumania dhe Bullgaria.

Edhe pse pjesë e Evropës, Ballkani është shumë më pak i zhvilluar sesa vendet e tjera.

Mesatarisht, Prodhimi i Brendshëm Bruto për Evropën,duke përjashtuar shtetet e Ballkanit, është 44.173 dollarë për frymë. Ndërkohë,PBB-ja mesatare për frymë në Ballkan është 23.041 dollarë, pra një hendek prej 21.132 dollarësh.

Studimet tregojnë se zbatimi i reformave të orientuara drejt tregut dhe që e zgjerojnë lirinë ekonomike, mund të përmirësojnë ndjeshëm ekonomitë e vendeve individuale. Indeksi vjetor i Lirisë Ekonomike të Fondacionit Heritage, përmban një panoramë gjithëpërfshirës mbi secilin prej 184 vendeve. Indeksi përdor mesatarisht 12 nën-variabla për të përpiluar një rezultat të përgjithshëm për secilin vend.

Shumë vende të Ballkanit,renditen mirë në tregues të shumtë të indeksit. Por thuajse çdo vend ballkanik mbetet shumë pas shumicës së vendeve të Evropës në një tregues:integritetin e qeverisë. Rezultati mesatar i Ballkanit për integritetin e qeverisë është shumë i dobët, vetëm 48.8 pikë.

Pjesa tjetër e Evropës ka një rezultat mesatar prej 68.8 pikësh për integritetin e qeverisë, pra një hendek prej 20 pikësh. Po si ndikon integriteti i qeverisë mbi lirinë ekonomike të një vendi? Kur një vend renditet dobët sa i përket integritetit të qeverisë, ai ka një nivel të lartë të korrupsionit sistematik.

Korrupsioni përfshin praktika të tilla si ryshfeti, nepotizmi dhe klientelizmi. Ato janë tërësisht të papajtueshme me lirinë ekonomike, pasi konkurrenca e shëndetshme e biznesit zëvendësohet me favoret ndaj klientëve të preferuar apo që kanë paguar ryshfete.

Korrupsioni i dekurajon qytetarët të hapin bizneseve që nuk janë të preferuara nga qeveria. Rajoni i Ballkanit ka bërë shumë përparime gjatë dy dekadave të fundit. Produkti i brendshëm bruto është rritur. Jetëgjatësia po ashtu. Edhe arritjet arsimore janë shtuar.

Megjithatë korrupsioni vazhdon. Nëse qeveritë e ndryshme në rajon duan vërtet të kujdesen për përmirësimin e jetesës së qytetarëve të tyre, ato duhet të krijojnë një mjedis të lirisë ekonomike dhe mundësive. Hapi i parë është të çlirohen nga “retë e errëta” të korrupsionit.

Shënim: Patrick Tyrrell, është koordinator kërkimesh në Qendrën e Fondacionit Heritage për Tregtinë Ndërkombëtare dhe Ekonominë. Alexander Jelloian, lektor në Kolegjin Whittier në Los Anxheles, Kaliforni.