Në ditën Botërore të Mjedisit, Presidenti i Republikës Ilir Meta bën thirrje për shpalljen e lumit Vjosa, park Kombëtar. Meta falënderon punën studimore të realizuar nga një grup shkencëtarësh nga Austria, Gjermania, Italia dhe Shqipëria.

“Mbështes thirrjen e komunitetit lokal, të shkencëtarëve, akademikëve dhe të aktivistëve mjedisorë vendas e të huaj, të personaliteteve të filmit, artit dhe kulturës botërore, si Leonardo Di Caprio dhe Edward Norton, drejtuar qeverisë shqiptare, për të mos lejuar dhe për t’u tërhequr nga ndërtimi i hidrocentraleve dhe çdo projekt tjetër shkatërrimtar dhe abuziv në këtë zonë”, shkruan Meta.

Ai gjithashtu inkurajon autoritetet e larta të Bashkimit Europian të përkrahin kauzën, e cila sipas tij i përket të gjithëve.

Reagimi i plotë i Presidentit të Republikës Ilir Meta:

Në Ditën Botërore të Mjedisit theksoj me forcë rëndësinë e shpalljes së Vjosës, Park Kombëtar, në të gjitha degët e lumit, me qëllim mbrojtjen e kësaj pasurie natyrore të jashtëzakonshme kombëtare dhe europiane.

E përshëndes punën studimore të realizuar së fundmi prej një grupi shkencëtarësh nga Austria, Gjermania, Italia dhe Shqipëria, si dhe i vlerësoj konkluzionet dhe kontributin e tyre të vyer për evidentimin, ruajtjen dhe promovimin e vlerave të rralla ekologjike të lumit Vjosa.

Mbështes thirrjen e tyre, të komunitetit lokal, të shkencëtarëve, akademikëve dhe të aktivistëve mjedisorë vendas e të huaj, të personaliteteve të filmit, artit dhe kulturës botërore, si Leonardo Di Caprio dhe Edward Norton, drejtuar Qeverisë shqiptare, për të mos lejuar dhe për t’u tërhequr nga ndërtimi i hidrocentraleve dhe çdo projekt tjetër shkatërrimtar dhe abuziv në këtë zonë.

I inkurajoj të gjitha autoritetet e larta të Bashkimit Europian të përkrahin fuqimisht kauzën, që na përket të gjithëve, duke risjellë në vëmendje edhe rezolutën e Parlamentit Europian për shpalljen e Vjosës Park Kombëtar.

E DUAM VJOSËN DHE DO TA MBROJMË!