Jose Mourinho do e shohim sërish në Serie A prej sezonit të ardhshëm. “Special One” do të marrë drejtimin e Romës në korrik, lëvizje që ka krijuar entuziazëm dhe pritshmëri të mëdha në pjesën verdhekuqe të kryeqytetit italian.

Euro 2020 është afër dhe tekniku portugez ka analizuar Italinë, ekip që e sheh minimalisht në gjysmëfinalet e turneut. Sigurisht që do ta ndjekë më vëmendje, pasi disa lojtarë të Romës janë pjesë e ekipit të Roberto Mancinit.

Do të kërkoj të shoh lojtarët e mi te Roma: Leonardo Spinazzola, Bryan Cristante dhe Lorenzo Pellegrini. Natyrisht që do të përqendrohem tek ata më shumë. Italia është një ekip me një miks të mirë lojtarësh me përvojë, ata dinë të fitojnë.

Mourinho dhe Mancini

Do të jenë të fortë në Euro 2020. Roberto Mancini është një trajner me eksperiencë të madhe, ka kaluar 20 vite në kampionatet më të mira. Është gati për këtë sfidë, e tregoi edhe në fazën kualifikuese sa i aftë është si trajner.

Unë mendoj se skuadra është përmirësuar shumë nën menaxhimin e tij. Italia ka lojtarë të talentuar, por ata kanë edhe njohuri të shkëlqyera taktike. Janë të aftë për të luajtur në mënyra të ndryshme dhe me disa sisteme.

Roberto po u shton atyre pak cilësi ofensive, por ata nuk e humbasin natyrën që kanë dhe dinë të mbrojnë. Mendoj se kjo është cilësia më e mirë e kombëtares së kaltër. E vështirë t’u gjesh pika të dobëta. Mendoj se do të jenë në katër ekipet e para“, përfundoi Mourinho.