Shqipëria numëron vetëm 2 të infektuar në 24 orë ndërsa Greqia vazhdon të ketë çdo ditë me qindra të infektuar, por kjo nuk po e pengon qeverinë greke që të vazhdojë të mbajë mbyllur kufijtë me vendin tonë.

Ndërsa vendet e Bashkimit Evropian kanë secili me mijëra të infektuar në ditë me koronavirusi, këta trajtohen si të nënës dhe hyjnë lirisht në Greqo, mjaft që të kenë një tampon, vërtetim se kanë kaluar kovidin, apo kanë bërë vaksinën.

Kurse shqiptarët po vazhdojnë të trajtohen si të njerkës që më 10 mars 2020 duke mos u lejuar të futen në tokën greke, raporton noa.al.

Qeveria greke dhe ambasada e saj, çdo një apo dy-tre javë, njofton për shtyrjen e ndalimit të kalimit dhe kjo ndodhi edhe sot, kur zv ministri i Mbrojtjes Nikos Kardalias, njoftoi se masat shtyhen deri më 14 qershor.

Kështu, në doganat greke nuk do të lejohen të kalojnë turistët shqiptarë deri në 14 qershor, ndërsa mbeten të njëjtat kuota për kalimet.

Kakavija 400 persona, Kapshtica 400 punonjës sezonalë, ndërsa për herë të parë nga marsi i 2020 hapet dogana e Qafë Botës me kapacitet deri në 250 persona në ditë.

Asgjë nuk dihet dhe askush nuk di të thotë se sa do të vazhdojë kjo gjendje. Por shqiptarët janë shumë të lidhur me vendin fqinjë pasi aty jetojnë më shumë se 600 mijë shqiptarë të cilët mezi presin të ftojnë të afërmit në qytetet greke ku jetojnë.