Ka nisur sot në të gjithë vendin aksioni i prishjes së ndërtimeve pa leje nga inspektorët e IKMT-së, siç është paralajmëruar më herët edhe nga kryeministri Rama. Operacioni është shtrirë në të gjithë vendin, duke nisur nga Velipoja deri në Ksamil. Në një prononcim për mediat, zv. ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari dha arsyen se përse ky operacion është ndërmarrë tani në sezonin veror.

“Nuk mendoj se turistëve u prishet imazhi se si agjencitë ligj zbatuese zbatojnë ligjin. Po flasim për paligjshmëri dhe ligji duhet zbatuar në çdo kohë, si në sezon si në tetor, ndoshta është pak më e ndjeshme në sezonin veror, por këto janë çështje që duhen zbatuar çdo ditë dhe kjo është mesazhi më i qartë, jo vetëm turistëve, por edhe qytetarëve shqiptarë se kush do që të ndërtojë në Shqipëri duhet ta bëjë këtë sipas rregullave dhe ligjit, në çdo kohë, qoftë sezon turistik apo periudha dimërore.

Pse po shemben ndërtimet pa leje në bregdet në sezonin  veror? Ja

Edhe një shembje që do të kryhet kërkon angazhimin e institucioneve në nivel qendror dhe vendor, për çdo rast është shqyrtuar dokumentacioni, çdo gjë duhet bërë në mënyrë komforte sipas ligjit. Përgjegjësia është e atyre që kanë shkelur ligjin që nuk kanë marrë leje, apo edhe ato që kanë toleruar shkelësit e ligjit. Po vijohet dhe me evidentimin e personave që duhet të reagonin dhe nuk e kanë bërë një gjë të tillë.

Ky operacion nuk ka kthim pas. Bashkëpunimi me të gjithë aktorët është i nevojshëm për të bërë të mundur zbatimin e ligjit që të bëjmë një operacion sa më efektiv dhe kërkohet bashkëpunim, njoftimi ka qenë publik pak ditë më parë dhe të gjithë kanë marrë dijeni”, tha Lamallari.