Tetë persona kanë rënë në pranga e policisë së Tiranës gjatë 24 orëve të fundit të akuzuar për vepra të ndryshme penale, dhe një sërë çështjesh të tjera janë kallzuar në polici.

Mes të arrestuarve është një 28 vjeçar i cili akuzohet se ka dhunuar fizikisht ish të dashurën e tij.

Ndërkaq ky shtetas përveç dhunës ish të dashurës i kishte kërkuar dhe një shumë parash për të vijuar lidhjen e tyre.

“Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr.4 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit K. K., 28 vjeç, pasi në kundërshtim me vendimin e Gjykatës, ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj ish të dashurës. Gjithashtu dyshohet se ky shtetas i ka kërkuar një shumë parash ish të dashurës së tij, në menyrë që të vazhdonin lidhjen”, thuhet në njoftimin e policisë.

Njoftimi i plotë:

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve :

H.L., 23 vjeç dhe L. B., 26 vjeç, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në mjetet përkatëse me të cilat këta shtetas qarkullonin, Forca e Posaçme “Shqiponjat” gjeti dhe sekuestroi një sasi me lëndë narkotike kanabis.

Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr.4 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit K. K., 28 vjeç, pasi në kundërshtim me vendimin e Gjykatës, ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj ish të dashurës. Gjithashtu dyshohet se ky shtetas i ka kërkuar një shumë parash ish të dashurës së tij, në menyrë që të vazhdonin lidhjen.

Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr.6 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit V. A., 28 vjeç, pasi dyshohet se i ka marrë me forcë një aparat celular një shtetaseje.

Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve :

A.C., 29 vjeç, R. M., 60 vjeç dhe V. K., 40 vjeç, pasi u kapën duke drejtuar mjetet përkatëse në gjendje të dehur ;

B.Gj., 19 vjeç, pasi duke drejtuar mjetin pa lejen përkatëse ka aksidentuar biçiklistin e mitur rreth 11 vjeç, i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.

Më datë 07.06.2021, u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë dhe punohet për kapjen e shtetasve të mitur të moshave 13 vjeç dhe 15 vjeç, sepse në rrugën “Llazi Miho”, në bashkëpunim me njëri tjetrin, kanë vjedhur një shumë parash në librarinë në pronësi të shtetases M. Sh, si dhe në rrugën “Llambi Bonata”, kanë vjedhur një shumë parash në dyqanin në pronësi të shtetasit E. M.

Më datë 07.06.2021, u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë për shtetasit E. B., 28 vjeç dhe E. B., 29 vjeç, pasi ditën e djeshme në rrugën “Teodor Keko”, në bashkëpunim me njeri tjetrin kanë goditur me mjet prerës shtetasin F. D., 39 vjeç, i cili ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.

Më datë 07.06.2021, u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë për shtetasin N. T., 55 vjeç, sepse në Shishtufinë dyshohet se ka kryer veprime të turpshme me  një shtetase të mitur.

Më datë 08.06.2021, shtetësja T. S., 21 vjeçe,  kallëzon se në rrugën “Hamdi Sina”, në zonën e Liqenit të “Thatë”, i kanë vjedhur mjetin të cilin e kishte në përdorim. Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit.

Materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.