Parlamenti Europian miratoi  të ashtuquajturën “pasaportë të gjelbër” me 546 vota pro. Eurodeputetët përfunduan punën legjislative për certifikatën digjitale të Bashkimit Europian për të lehtësuar lëvizjet brenda bllokut.

Kjo certifikatë do të jetë në dispozicion në formë digjitale ose letër dhe do të ketë një kod QR që tregon se personi është vaksinuar (me vaksina të miratuara nga OBSH),  ka një test negativ, ose është rikuperuar nga Covid -19.

Certifikata nuk do të jetë një parakusht për lëvizjen e lirë dhe nuk do të konsiderohet një dokument udhëtimi. Gjatë negociatave midis institucioneve, eurodeputetët miratuan një marrëveshje që përcakton se shtetet e BE nuk do të mund të vendosin kufizime të mëtejshme udhëtimi për personat që kanë certifikatat, si karantina, vetë-izolimi ose testimi, përveç nëse ato janë të nevojshme dhe proporcionale për të mbrojtur shëndetin publik.

Vendet e BE duhet  të sigurojnë që testet të jenë të përballueshme dhe gjerësisht të disponueshme. Me kërkesë të Parlamentit, Komisioni është zotuar të japë 100 milion euro nga instrumenti i Ndihmës së Emergjencës për të lejuar Shtetet Anëtare të blejnë teste për lëshimin e certifikatave  në BE.