Më shumë se 800 kriminelë në të gjithë botën janë arrestuar pasi autoritetet kanë arritur të monitorojnë bisedat e tyre falë një aplikacioni të koduar. Sipas të dhënave nga policia australiane, personi që kontribuoi pa dashje në kapjen e 800 kriminelëve falë aplikacionit të koduar është një i arratisur me emrin Hakan Agik.

Sipas BBC, Agik është shpërndarës droge. Ai u identifikua nga policia dhe për këtë arsye iu sigurua aksesi në aplikacion. Ai më pas filloi tua rekomandonte aplikacionin kriminelëve të tjerë. Agik ka jetuar në Turqi për vite me radhë dhe policia i ka bërë thirrje të dorëzohet.

“Duke pasur parasysh kërcënimin me të cilin po përballet, më e mira që ai mund të bëjë është të dorëzohet sa më shpejt të jetë e mundur,” tha Komisioneri Federal i Policisë Australiane Reese Kershaw.

Joseph Hakan Agik, 42 ​​vjeç, është djali i emigrantëve turq në Australi dhe thuhet se është rritur në  periferi të Sidneit.

Ai është cilësuar nga mediat  australiane si  “gangster i Facebook”, pasi gjithmonë  ka treguar në rrjetet sociale jetën e tij të luksit. Ai ka jetuar jashtë vendit që pas akuzave si i dyshuari kryesor në një operacion policor mbi trafikimin e heroinës.

Ai u arrestua në Qipro në 2010, por u zhduk pasi u la i lirë me kusht dhe mbetet një nga personat më të rrezikshëm dhe më të kërkuar nga policia australiane.

Në videot e siguruara nga mediat australiane, ai shihet në një makinë sportive dhe në dorë mban një orë me diamante. Sipas autoriteteve australiane, ai ka vazhduar aktivitetet e tij të paligjshme jashtë vendit dhe një numër i bashkëpunëtorëve të tij janë arrestuar.

Këtë javë, mediat australiane raportuan se ai është një nga “kokat” e mëdha që bashkëpunon në të ashtuquajturin “Aussie Cartel”, i cili sjell në vend lëndë narkotike me vlerë 1.5 miliardë dollarë në vit.

Në një sondazh të përbashkët nga 60 Minutes Australia, The Age dhe Sydney Morning Herald, u zbuluar  se Agik ndodhej në Turqi, ku vazhdonte jetën e luksit. Ai ka ndërruar identitetin dhe njihet me emrin Hakan Reyes, dhe gjithashtu ka hequr dorë nga shtetësia e tij australiane duke u martuar me një grua holandeze me të cilën ka dy fëmijë, raporton abcnews.al

Zyrtarët australianë thonë se Agik luajti një rol kritik në operacion: Atij iu dha një telefon duke përdorur aplikacionin ANOM dhe ai jua rekomandoi shërbimin kriminelëve të tjerë. Një total prej 12,000 pajisjesh shiteshin në tregun e zi me aplikacionin e instaluar, dhe përdoruesve të rinj u duhej një fjalëkalim nga një përdorues i vjetër për të fituar akses.

“Ne ishim brenda krimit të organizuar,” tha Kershaw. Siç është bërë e ditur, oficerët e policisë ishin në gjendje të lexonin miliona mesazhe në kohë reale, të cilat kishin të bënin me planet për vrasje, trafik droge, etj.

Agik nuk është arrestuar ende, por autoritetet kanë deklaruar se personat që u arrestuan për shkak të aplikacionit do të kuptojnë se çdo gjë ndodhi për shkak të tij.

“Nëse  do të flasim për Agik dhe përfshirjen e tij, në praktikë ai është  sponsori kryesor i ANOM,” tha Jared Taggart, një oficer i lartë i policisë federale Australiane, për Australian Telegraf. “Këto pajisje janë të përhapura kudo; ato janë si një pemë familjare, pasi mund të gjurmoni të gjitha pajisjet e tjera falë tij.”