Persona të përfshirë në ngjarje të rënda kriminale, apo edhe në konflikte për motive banale, do t’u  sekuestrohet arma e zjarrit, nëse e disponojnë një të tillë me leje. Ky është urdhri më i fundit që drejtues të Policisë së Shtetit u kanë dhënë vartësve të tyre në të 12 qarqet e vendit.

Sekuestrimi i armëve, edhe pse me leje, do të bëhet ndaj atyre personave që policia ka humbur besueshmërinë. Kjo, në rastet kur një qytetari rezulton i denoncuar apo kallëzuar në polici.

Ky urdhër vjen menjëherë pas vrasjeve të ndodhura muajt e fundit, disa prej të cilave kanë qenë për motive të dobëta apo konflikte banale.

Dy javë më parë, Policia e Shtetit vendosi që të shtyjë afatin e regjistrimit të armëve të zjarrit që nga viti 1993, kryesisht ato të gjahut e sportivet.

Afati i fundit për t’i regjistruar në sistemin elektronik SIMA është deri në fund të vitit. Fillimisht ishte parashikuar parashikuar që afati përfundimtar të ishte deri më 31 Maj.

ABC mëson se gjithsej në të gjithë vendin rezultojnë të regjistruara 103.459 armë me leje. Ato janë të regjistruara vetëm në procesverbalet e uniformave blu.

Ndërsa deri më tani, në sistemin elektronik SIMA janë regjistruar 65.071 armë.

Numrin më të lartë të armëve me leje e mban Tirana, me 18.400. pasohet nga Fieri me 16.200armë, e duke vijuar me Durrësin me 10.200. Me numër më të vogël vijojn qarqet e tjera si Shkodra, Lezha, Vlora dhe Elbasani me nga 8 dhe 9 mijë armë. Ndërsa qarku që ka numrin më të vogël të armëve me leje është Kukësi, me 2.131.

Nga ana tjetër, policia ka planifikuar të bëjë edhe një amnisti për dorëzimin vullnetar të armëve dhe municioneve që nga 1997-ta. Ky projektligj pritet të miratohet nga parlamenti i ri i dalë nga zgjedhjet e 25 prillit.

ARMËT ME LEJE NË QARQE

Tiranë 18400 armë

Fier 16200 armë

Durrës 10200 armë

Shkodër 9200 armë

Lezhë 9000 armë

Vlorë 8200 armë

Elbasan 9750 armë