Kontrolle të befasishme janë kryer gjatë natës duke gdhirë e marta në Vlorë, në disa ambiente, kryesisht lokale, për kapjen e personave në kërkim, atyre që mbajnë armë zjarri dhe lëndë narkotike.

Kontrollet u kryen nga Forcat Speciale Renea, Forca e Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe strukturat e DVP Vlorë.

Gjatë kontrolleve është sekuestruar një armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak dhe u vu në pranga 41-vjeçari, Edison Begaj, poseduesi i armës.

Policia detajoi se në lagjen “Uji i Ftohtë”, në ambientet e jashtme të një lokali, gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj shtetasit Edison Begaj, 41 vjeç, u gjet dhe u bllokua në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pistoletë, me një krehër me 5 fishekë, pa leje.

Në përfundim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i 41-vjeçarit Edison Begaj, për veprat penale “Armëmbajtja pa leje” dhe materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprime të mëtejshme.