Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për mediat, pas përfundimit të takimit me Presidentin e Serbisë Aleksandët Vuçiç, është shprehur se Kosova po mendon për përgatitjen e një padie kundër Serbisë.

Mes të tjerash Kurti ka theksuar se për padinë për gjenocid kundër Serbisë ka kërkuar edhe ndihmën e ndërkombëtarëve, megjithëse procesi sipas tij do të jetë i gjatë.

“Kemi filluar me padinë ndaj Serbisë. Kemi kërkuar nga partnerët tanë ndërkombëtar që të na ndihmojnë për ta bërë gati padinë. Do të marr kohë përgatitja e kësaj padie.

Sakaq, Kurti tha se në dialogun me Serbinë janë duke i trajtuar çështjet në thelb të saj. Ai shtoi se dialogu nuk do të jetë i lehtë, por nënvizoi se nuk është pesimist për këtë dialog.

“Kam shpresë se nëse i diskutojmë qysh në fillim sinqerisht dhe seriozisht çështjet kryesore me siguri që nuk ka vend për skepticizëm. A do të jetë vështirë sigurisht që do të jetë, nuk jam pesimist, pasi po i trajtomë gjërat qysh në thelbin e tyre. Serbia nuk e pranon Kosovën dhe Kosovës nuk e pranon Serbinë dhe kjo gjë nuk do të ndryshoj”, përmbylli Kurti.

Kujtojmë se nga ana tjetër Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç është shprehur se Albin Kurti i kërkoi se kur do njihnin Kosovën, por sipas tij kjo nuk do të ndodhë.