Ministria e Bujqësisë urdhëroi ndalimin e tregtisë së shpendëve të gjalla në mjediset dhe tregjet e hapura të kafshëve të gjalla në Shqipëri. Ky vendim erdhi pas përhapjes së gripit të shpendëve në disa zona të vendit. Zëvendësministrja e Bujqësisë Ermira Gjeci tha se tregjet e hapura të gjasë së gjallë përbëjnë rrezik për shëndetin e qytetarëve në këto momente.

“Tregjet e gjësë së gjallë përbëjnë një rrezik sepse ne ju themi fermerëve që edhe në zonat e kuqe, por edhe në zonën e mbikëqyrur që kafshët t’i mbajnë brenda kotecit ose të rrethuara me gardh në mënyrë që t’i ushqejnë vetë e njëjta gjë ndodh edhe me tregjet e gjësë së gjallë duke vajtur tufa të cilat mund të jenë të infektuara, infektojnë edhe kafshët e tjera edhe në zonat që ne i kemi të pastra. Shqipëria pavarësisht numrit të madh të vendeve që janë përfshirë në urdhrin e fundit të ministres nuk ka marrëdhënie tregtie me pjesën dërmuese të këtyre vendeve. Kryesisht marrëdhëniet tregtare janë të lidhura me vendet fqinje. Risku i transmetimit të këtij virusi tek njerëzit është shumë i ulët.”– tha Gjeci.