Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko në një intervistë për gazetaren Erjola Jata ka folur për pandeminë, ekonominë shqiptare dhe politikat lehtësuese monetare.

Sejko thotë se ekonomia shqiptare tashmë e përballoi pandeminë dhe shenjat janë për ringritje ekonomike.

Ai nxjerr dhe parashikimet e Bankës së Shqipërisë, ku për 2021 është parashikuar rritje me 5.3% kurse për 2022 rritje prej 4.1%.

Për Sejkon gjithsesi sfida e parë e Shqipërisë është sistemi shëndetësor kurse për Bankën e Shqipërisë është ruajtja e stabilitetit të çmimeve dhe dhe ruajtja e nivelit të targetuar të inflacionit.

Gazetarja: Guvernator kur ka kaluar më shumë se një vit nga përhapja e pandemisë covid 19 në vendin tonë si e përballoi ekonomia shqiptare krizën e shkaktuar dhe kur pritet që ekonomia të ketë rimëkëmbje të plotë?

Guvernatori: Ekonomia shqiptare e ka përballuar mirë, është treguar fleksibël, dhe rezistente mjaftueshëm. Rezultatet e treguesve ekonomikë vërtetojnë që ne kemi pasur një tkurrje ekonomike më të vogël se ajo që kishim parashikuar. Po të kthehemi në kohë, vitin e kaluar institucionet ndërkombëtare që japin vlerësime për ekonominë si FMN, BB, ne pastaj si Bankë Shqipërie kemi pasur disa vlerësime më pesimiste. Parashikohej 7.5% rënia ekonomike, ndoshta dhe më shumë nw momente të caktuara, tremujorin e dytë të vitit të kaluar rënia ekonomike në nivelin 12.5 për qind dhe frika ishte e madhe. Frika ishte në të gjithë botën se si do të reagonin ekonomitë e shteteve shumë më të mëdha ndaj goditjes nga pandemia. Por fatmirësisht, dhe si pasojë e masave të marra si nga qeveria shqiptare ashtu dhe nga Banka e Shqipërisë dhe e vetë agjentëve të tregut dhe ekonomisë shqiptare, ekonomia u tregua më rezistente dhe rënia ekonomike rezultoi në nivelin 3.3%. Parashikimi i Bankës së Shqipërisë është në linjë me FMN për këtë vit që ne do të kemi një rritje ekonomike në nivelin 5.3%. Parashikimet rishikohen por ne aktualisht jemi në këtë nivel. Pra ne presim që ne të kemi një ringritje të mire ekonomike duke filluar nga ky vit dhe pastaj viti në vijim rritja ekonomike është parashikuar të jetë në nivelin 4.1% e me radhë. Gjithsesi është shume e rëndësishme që pandemia është mire menaxhuar dhe po shohim numra në rënie të infektuarve nga pandemia të shpresojmë që sezoni i verës jo vetëm do të ketë një ringritje në sektorin e turizmit që ka një impakt të fuqishëm në ekonominë shqiptare por do të shkojë paralelisht me rënien e numrave. Dhe nëse në vjeshtë e më pas ne do të kemi një mirëmanaxhim të krizës nga pandemia, të pjesës shëndetësore sigurisht që do të materializohen dhe shifrat për ringritjen ekonomike. Shenjat janë pozitive, patjetër që ne presim ringritje ekonomike këtë vit dhe vitin që vjen. Është lajm shumë i mirë që ekonomia shqiptare ka rezistuar tregjet financiare kanë qenë të qeta, kursi I këmbimit ka qenë stabël, sistemi bankar ka reaguar, dhe ka qëndruar rezistent ndaj goditjes dhe ka reaguar mjaft mire, ka qenë mjaft flekësibël gjithashtu. Ka një rritje të kredisë dhe në periudhë krize, kemi pasur rritje të kredisë. Kredia është rritur në nivelin 7.5 për qind që është një tregues mjaft i mirë në një vit kaq të vështirë si pandemie. Kemi pasur parashikime më pesimiste dhe vazhdojmë të jemi shumë të kujdesshëm në drejtim të kredisë së keqe, kredisë me probleme, e cila nuk u rrit përkundrazi pari rënie edhe gjatë periudhës së krizës. Nëse nuk do të kishim pasur krizën ose goditjen e pandemisë do të kishim pasur një rënie më sinjifikante për kredinë me probleme. Ndërkohë që kredia me problem nga niveli 8.1 në nivelin 2020 ka vajtur në nivelin 7.8 për qind. Dhe nga komunikimi dhe bisedimet që kemi me bankat e nivelit të dytë pasi ato janë në kontakt direkt më të përafërt me klientët marrim informacion që nuk presim të kemi rritje të kredisë së keqe. Në analizën tonë ne kemi parashikuar që mund të ketë rritje të kredisë me probleme por dhe në parashikimin më pesimist që ne do të kishim si bankë qendrore prapë sistemi bankar është mirë kapitalizuar dhe me një gjendje shumë të mirë likuiditeti.

Gazetarja: Cilat janë sfidat me të cilat përballet ekonomia në rimëkëmbjen pas pandemisë dhe çfarë duhet bërë në mënyrë që të nxitet një zhvillim i qëndrueshëm?

Guvernatori: Sfidat janë të shumta për çdo ekonomi veçanërisht për ekonominë tonë. Ka jashtëzakonisht shumë sfida dhe nuk do të mjaftonte një intervistë për ti përmbledhur, por do përpiqem të jem sa më konciz. Në radhë të parë, sfida kryesore ishte sistemi shëndetësor, menaxhimi i numrave dhe shifra i cili për fat të mirë falë vaksinimit të popullatës po ecën në drejtimin e duhur dhe po jep sinjale optimiste. Pastaj për ekonominë, ne jemi institucion financiar mbikëqyrës dhe rregullator të përcaktuara me ligj që janë stabiliteti i çmimeve, stabiliteti financiar. Për ne si bankë qendrore sfide kryesore është të ruajmë stabilitetin e çmimeve, të arrijmë nivelin e targetuar të inflacionit por njëkohësisht të kemi dhe një sistem bankar dhe sistem financiar të qëndrueshëm, për të ndihmuar ekonominë në financim për një ringritje në funksion të rritjes së mirëqenies së qytetarëve.

Ne kemi theksuar se do të vazhdojmë të ndjekim politikën tonë monetare lehtësuese. Politika jonë monetare lehtësuese do të vazhdojë me këtë normë interesi që është në minimumin e saj historik që shërben për të stimuluar konsumin, investimet dhe kreditimin. Njëkohësisht dhe politika fiskale do të duhet për njëfarë kohe të mbetet lehtësuese por pasi situata të jetë kapërcyer, politika fiskale sigurisht që duhet te shkojë drejt konsolidimit fiskal për uljen e borxhit dhe politika monetare kur të arrijë nivelin e synuar të inflacionit prej 3% atëherë do të duhet të kthehet në shtrënguese, por kjo nuk do të ndodhë para vitit 2022. Këto dy politika të koordinuara, pra politika fiskale me politikën monetare do të duhet të vazhdojnë të jenë lehtësuese. Dhe ne si Bankë e Shqipërisë që jemi direkt përgjegjës për politikën monetare e kemi komunikuar që do të vazhdojmë të ndjekim politikën monetare lehtësuese, nuk kemi pasur nevojë dhe nuk parashikojmë që të përdorur planin e kontigjencës pra lehtësimin sasior pasi ekonomia ka reaguar mirë pra nuk na është dashur që të aktivizojmë këto plane kontigjence. Pastaj sfidat e tjera kanë të bëjnë më reforma strukturore, ka një set me reforma strukturore që duhen ndërmarrë në ekonominë shqiptare, që fillojnë që nga niveli i përsosjes së infrastrukturës, në të gjitha aspektet që kanë të bëjnë me përmirësimin e klimës së biznesit, uljen e nivelit të informalitetit, me implementimin e një konkurrencë të ndershme në treg, me prekjen e sektorëve kyç të ekonomisë shqiptare por edhe pjesës të jetës ekonomike dhe sociale shqiptare, reforma në arsim dhe reforma në shëndetësi është shumë e rëndësishme pasi nga arsimi varet gjithçka, varet e ardhmja. Shëndetësia u provua sa e rëndësishme ishte, pra ka një set me reforma që do të ndërmerren dhe duhen vazhduar. Shqipëria është në procesin e integrimit evropian dhe sigurisht që këto reforma janë të koordinuara dhe të mbikëqyrura por dhe të konsultuara me partnerët tanë ndërkombëtar. Banka qendrore është një institucion financiar ka setin e saj të reformave strukturore, në koordinim dhe në harmonizim pastaj dhe me reformat e tjera se te gjitha janë te harmonizuar të ndërtuara. Unë do të thoja se sfida kryesore për ne është që të arrijmë objektivin tonë. Te ruajmë stabilitetin monetar dhe financiar të vendit. Fatmirësisht edhe në këtë periudhë krize e kemi mirë menaxhuar dhe situata nuk ka dalë jashtë kontrollit, përkundrazi ka qenë në kontroll dhe objektivat janë realizuar. Paralelisht pastaj të gjitha sfidat do të vazhdojnë të menaxhohen dhe të progresojnë.

Gazetarja: Ju zoti Guvernator folët për sfidat për reformat që janë ndërmarrë, por në këto kushte që ne jemi të flasim pak edhe për sistemin bankar pas pandemisë COVID 19, si paraqitet aktualisht?

Guvernatori: Sistemi bankar sikurse thash paraqitet i mirëkapitalizuar dhe me një gjendje shumë të mirë likuiditeti. Sistemi bankar jo vetëm gjatë krizës së pandemisë por dhe gjatë gjithë viteve të fundit ka kaluar disa sfida. Ne kemi pasur një proces konsolidimi ne sistemin bankar, si pasojë e ndryshimeve strukturore në sistemin bankar, jo vetëm në Shqipëri por në rajon dhe më gjerë, në Evropë dhe në botë sistemet bankare kanë pasur ndryshime strukturore esenciale, ka pasur shumë bashkime me përthithje të shumë bankave të mëdha ndërkombëtare të cilat pastaj janë reflektuar dhe me filialet e tyre në rajon dhe në Shqipëri, ne kemi parë që disa banka shumë të rëndësishme të tregut shqiptar të rajonit, banka evropiane janë tërhequr bankat franceze u tërhoqën në fillim pastaj bankat greke dhe kjo ka qenë një sfidë për bankën qendrore për të menaxhuar ketë proces e cila fatmirësisht tani qe jemi në mbyllje të këtij procesi e cila tani që jemi në mbyllje ka rezultuar e mire menaxhuar. Sistemi bankar ka 12 banka aktualisht nga 16 banka dhe ky ka qenë një objektiv i bankës qendrore, konsolidimi i sistemit bankar. Kredia e keqe është ulur nga niveli i 25% që ka ishte në pikun e saj në vitin 2015, në nivelin 7.8% me gjithë goditjet që kemi pasur si nga tërmeti ashtu edhe nga pandemia. Parashikojmë që ta menaxhojmë kredinë e keqe dhe të vazhdojmë ta mbajmë në kontroll. Kreditimi për ekonominë është rritur, është rritur edhe në periudhën e krizës ne nivelin 7.7% dhe parashikojmë që do të ketë një kreditim në rritje, kjo sigurisht që është e ndërlidhur pastaj edhe me kërkesën, sepse sistemi bankar ka ofertën për financim por kërkesa lidhet me ekonominë. Tregjet financiare kanë qenë të qeta, kursi i këmbimit ka qenë stabël, nuk ka pasur luhatje. Pra sistemi bankar ka rezistuar mire dhe ka një tepricë likuiditeti. Ne akoma jemi në nivele të larta likuiditeti kjo është një shenjë e mirë pasi tregon garanci dhe siguri për depozituesit por nga ana tjetër përfaqëson kosto për bankat, por sigurisht që këto fonde të litra duhen përkthyer në kredi për ekonominë ne mënyrë që edhe bankat të rrisin përfitueshmërinë dhe ekonomia të përfitojë, por dhe klientët e bankave të jenë të sigurt për investimet e tyre. Do të shohim, shenjat janë të mira, pritshmëritë unë thash që janë për ringritje ekonomike, për rritje ekonomike. Sistemi bankar rezistoi dhe gjatë vitit të kaluar që ishte viti dhe më i vështire, këtu ndikuan patjetër dhe masat e marra nga ana jonë për shtyrjen e me moratorium për dy tremujor të kësteve të kredive për të ndihmuar bizneset dhe individët por njëkohësisht dhe proaktiviteti i vetë bankave në funksion të ndryshimeve rregullative që ne bëmë për të bërë ristrukturime proaktive për t’ju përshtatur situatës së pandemisë. Tashmë këto masa kanë kaluar, bankat nuk kanë më nevojë për ndihmesa të tilla, kanë një situatë të mirë por dhe klientët nga ana tjetër nëpërmjet shoqatave, ne shohim që nuk kërkojnë më, pra janë përshtatur me situatën. Kjo një gjendje optimizmi dhe në treg, në industri të ndryshme që presin ringritje. Problematika sigurisht që ekziston dhe pandemia do të lerë shenjat e saj por besojmë se do të kemi ringritje dhe sistemi bankar është në gjendje shume të mirë për të ndikuar në ringritjen e ekonomisë shqiptare.

Gazetarja: Z. Sejko, së fundmi keni pasur takim online me Fondin Monetarë Ndërkombëtar. Ky institucion ndërkombëtarë financiar ka rekomanduar vijimin e politikave monetare lehtësuese për të rritur stimulin në ekonomi. Keni një koment për këtë?

Guvernatori: Po ne kishim javën e kaluar, mbylljen e misionit të radhës me FMN-në. FMN komunikon, vlerëson, bën ndjekjen e zhvillimeve ekonomike si pjesë të marrëveshjes që ne kemi me ta për ndjekjen, pasi është post monitoring. Pra nuk jemi në llojin e marrëveshjes që kemi qenë por ata vazhdojnë monitorimin e tyre dhe vlerësimet e FMN dhe rekomandimet nga misioni i fundit janë plotësisht në linjë dhe në përputhje me konkluzionet dhe analizat e BSH-së. FMN ka rekomanduar që ne të vazhdojmë politikën tonë monetare lehtësuese, njëlloj sikurse dhe Këshilli Mbikëqyrës I BSH-së ka gjykuar dhe ka vlerësuar, pra ka konfirmuar qëndrimin e Këshillit Mbikëqyrës te Bankës së Shqipërisë, për të vazhduar politikën monetare lehtësuese. Për të vazhduar për të mbajtur normën e interesit në nivelin minimal historik, ne funksion të ringritjes ekonomike, pra të nxitjes së konsumit, investimeve, kreditimit dhe për një periudhë kohe deri sa ekonomia të forcuar mjaftueshëm dhe objektivi ynë i inflacionit të jetë arritur.

Gjithashtu FMN në misionin e fundit vlerësoi qëndrueshmërinë e sistemit bankar që un sapo e thash, sigurisht që rekomandoi që ne të jemi alert dhe vigjilent për të monitoruar situatën. Pasi situatat gjatë krizës ose post-krizës mbartin rreziqe të mjaftueshme. Ka vlerësuar punën e BSH në lidhje me këto aspekte dhe praktikisht ne jemi plotësisht në linjë. Kemi një koordinim në fakt mjaft të mirë me FMN, pasi jo vetëm me misionin me vlerësimin, por institucioni I bankës qendrore merr asistencë të vazhdueshme nga FMN. Kemi pasur konsulentë të cilët janë permanent rezident këtu por ka dhe konsulentë të tjerë nga Uashingtoni dhe të gjithë projektet tona kryesore qe ndërmarrim si bankë qendrore, janë të koordinuara, te konsultuara dhe të mbikëqyrura nga FMN.