Pas vrasjes barbare në Greqi, e cila u pasua me trillimin e vrasësit që sajoi një grabitje për të fshehur krimin, mediat vendase përhapën lajme se autorët ishin shqiptar, nisur kjo edhe nga vetë deklarata e pilotit 32-vjeçar i cili tha se kishte dëgjuar njërin prej tyre të fliste shqip.

Në lidhje me këtë situatë, ambasadorja shqiptare në Greqi Luela Hajdaraga, ka deklaruar në Radarin Informativ me gazetaren Jonida Shehu se ky rast konsiderohet i mbyllur pasi tashmë autorët kanë zbuluar autorin real të krimit. Ajo theksoi se mediat duhet të tregohen të kujdesshme për të mos qenë paragjykuese dhe për të mos kultivuar urrejtjen.

“Së pari ky rast konsiderohet I mbyllur pasi organet e kanë zbuluar autorin real të krimit. Deri në zbardhjen e hetimit ka pasur disa pista që kanë krijuar aludime për grupe dhe shtetas të kombësive të ndryshme përfshirë edhe shqiptarë. Mediat duhet të jenë të kujdesshme për të mos qenë ata që thonë fjalën e parë.

 Mesazhi më i rëndësishëm që vjen nga ky rast është që të mos bëhemi paragjykues dhe të kultivojmë urrejtjen port ë bashkëjetojmë pozitivisht duke i lënë të bëjnë punën e tyre organet kompetente që në këtë rast kanë punuar intensivisht deri në përfundimin e ngjarjes”, deklaroi ajo.

Pyetur nëse kjo situatë tregoi paragjykimin e grekëve ndaj komunitetit shqiptar, Hajdaraga u shpreh se pas zbulimit të së vërtetës, reagimi ka qenë akoma më pozitiv.

“Kur lajme të tilla përgënjeshtrohen dhe kur e vërteta zbulohet të jetë krejt ndryshe, atëherë ka dhe një reagim akoma më pozitiv kundrejt një target grupi të caktuar”, tha ajo.